EXPRESS

Dita Botërore e Teatrit, nderohet Muharrem Qena

Me leximin e mesazhit për Ditën Botërore të Teatrit që sivjet është shkruar nga nobelisti norvegjez Jon Fosse, ka nisur ceremonia e shënimit të kësaj dite në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Pas mesazhit që sivjet është titulluar “Arti është paqe”, janë ndarë çmimet vjetore për teatër dhe ai kombëtar për vepër jetësore.

Për vënien e gurthemelit të kulturës teatrore në Kosovë, me themelimin e teatrove në Mitrovicë, Prizren e Gjakovë, e me punën e palodhshme si aktor e regjisor duke i dhënë shtytje e drejtim zhvillimit të teatrit në Kosovë, me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore post-mortem është nderuar Muharrem Qena.

Në emër të familjes së tij, çmimin e ka pranuar e veja, aktorja Igballe Qena.

Juria në përbërje të Kushtrim Koliqit, Ag Apollonit, Ilir Bokshit, Doruntina Bashës e Ernest Malazogut ka vlerësuar se Çmimi për shfaqjen më të mirë t’i ndahet shfaqjes “1984” nën regji të Igor Mendijsky, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Çmimi për regjinë më të mirë i është i ndarë  Fadil Hysajt për shfaqjen  “Fausti” bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit “Bekim Fehmiu” në  Prizren dhe Teatrit të Gjilanit.

Sipas vlerësimeve të jurisë që janë lexuar nga Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, Çmimi për aktorin më të mirë i është ndarë  Adrian Morina për rolet e tij në shfaqjet “1984” dhe “Fausti”

Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, në ceremoninë në ku çmimet janë dorëzuar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i është dhënë  Qendrës “Multimedia” për prezantimet e shumta të suksesshme e dinjitoze në një sërë teatrosh evropiane e festivalesh serioze.

Çmimet vjetore për teatër dhe ai Kombëtar për vepër jetësore të ndara nga Ministria e Kulturës, tashmë janë tradicionale në Ditën Botërore të Teatrit, që për herë të parë në botë u shënua më 1962 e që sivjet nënvizon fuqinë e artit përballë luftës.