“Lexoni rrugën tuaj” është mesazhi i sivjetmë i Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, por ka vite që në Kosovë është ngritur alarmi se përditë e më shumë ka rënie të numrit të lexuesve.
Njëri prej aktiviteteve qendrore, të martën në Prishtinë, ka qenë ai në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” organizuar bashkë me Komunën e Prishtinës dhe organizatën joqeveritare “ETEA”. Ka qenë ngjarje simbolike ku është ritheksuar rëndësia e leximit, si dhe janë shpallur lexuesit e dalluar.
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ditën e ka nisur me takime.
“Ditën e sotme e fillova te shkrimtari Nazmi Rrahmani dhe aty bashkë diskutuam për rëndësinë e librit, dhe për veprat që duhet t’i përshtaten aftësive kognitive të fëmijëve. Diskutuam gjithashtu se sa e rëndësishme është imagjinata si niveli i parë i njohjes, që realisht vetëm libri ua jep fëmijëve tanë dhe i bën njeri, vetëm libri është ai që i bën fëmijët tanë njerëz në kuptimin e humanitetit dhe dijes shumë dimensionale”.
Është zotuar se Komuna e Prishtinës po punon për përmirësimin e infrastrukturës që nxit leximin.
“Për mua si drejtoreshë e kulturës dhe që vij nga bota e librit e kam shumë të rëndësishme që këto hapësira t’i ofrohen komunitetit sa më shumë. Nuk mjafton që ne vetëm të konstatojmë një gjendje te mos-lexueshmërisë, siç ndodh rëndom. E kemi shumë të rëndësishme që të dhënat që i marrim për këtë nivel të lexueshmërisë t’i orientojmë në politika adekuate, andaj për mua është e rëndësishme që t’i rikthejmë fëmijët tanë në biblioteka, dhe kësisoj e ofrojmë librin sa më afër fëmijëve dhe lexuesve në përgjithësi”.
Për bibliotekën “Hivzi Sulejmani” numri i lexuesve ka qenë gjithnjë në rënie prej pandemisë, përkundër përmirësimit të kushteve.
“Para pandemisë u hap ky objekt i ri me standarde evropiane dhe kushte shumë të mira, ka pas një fluks lexuesve deri në 10 mijë brenda vitit por pastaj pas pandemisë ky numër ka rënë pastaj filloi të ngritët por jo ne atë masë sa ka qenë në fillim. Ne po përpiqemi që përmes këtyre aktiviteteve me i nxit të rinjtë me ardhë në bibliotekë duke bërë dhe regjistrim pa pagesë në data shënjuese si 2 prill, sot dhe me 1 qershor edhe aktivitete të ndryshme që me i afru lexuesit me librin, sepse është e domosdoshme të lexohet nga të rinjtë”.
Vitin e kaluar pikërisht në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, organizata joqeverotare “ETEA” bashkë me shtëpinë botuese “Dukagjini” kishin nxjerrë raportin “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit” . Ndër të tjera, sipas atij raporti dilte se gjysma e të anketuarve nuk kishte fare kontakt me librin.
“Ne vazhdimisht çdo vit e bëjmë nga një hulumtim sa i përket statistikave të leximit, është shqetësuese se çdo vit sa here dalin rezultatet e reja, numri i atyre që kanë kontakt me librin është vazhdimisht ne rënie. Edhe vitin e kaluar statistikat tregojnë që kemi rënie të leximit, dhe më shqetësuese është fakti që ndoshta tek të rinjtë sidomos te shkollat e mesme ata nuk janë te familjarizuar me librin, nuk lexojnë dhe kjo normalisht qe është shqetësuese. Por ne nuk demotivohemi nga këto rezultate, përkundrazi i marrim si shtyse që të vazhdojmë te krijojmë aktivitete te tjera te cila ti afrojnë të rinjtë me aktivitete të ndryshme kulturore”, deklaroi Bleona Kurteshi.
Dita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit më 23 prill shënohet prej vitit 1995, kur u shpall nga UNESCO-ja dhe përkon me ditëvdekjen e shkrimtarëve Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega, më 1616. Sivjet Strazburgu është shpallur kryeqytet botëror i librit.