Arti dhe filozofia ndajnë një marrëdhënie të qenësishme, e cila rëndom i dhuron shtrirje kuptimore njërës apo tjetrës. Ky raport shpesh evidentohet dhe duke u ndërthurur në koncepte ekspozitash, veçanërisht brenda konditave të artit bashkëkohor. Kompleksiteti i natyrës njerëzore, sfidimi i normave, provokimi i mendjes janë vetëm disa nga portalet të cilat mund të hapin veprat e artistit Lui Shtini. Në ekspozitën e tij ‘Strange Gifts” (Dhurata të çuditshme) në galerinë “Lambdalambdalambda” në Prishtinë, të enjten mbrëma ai erdhi nëpërmjet punës së tij për herën e dytë. “Fused” kishte qenë ekspozita e parë e tij në Kosovë, gjashtë vjet më parë, në po të njëjtën galeri. Këtë radhë sërish tejet origjinal në shprehjen e identitetit të tij artistik, Shtini solli shtatë vepra të cilat bëjnë vend në realitet duke u mbështetur në koncepte të filozofit francez Jacques Derrida. Gjatë shtjellimit që ky i fundit i bën natyrës njerëzore dhe kufijve të saj me kafshëroren, artisti gjen inspirim dhe i jetëson punët e tij nëpërmjet një interpretimi të rafinuar artistik.
Me të hyrë në Galeri, vepra e parë që të mirëpret është “Fur on Ice” (Gëzofi në akull). Ajo është e para që bën me dije se mjeshtëria e artistit qëndron tek trajtimi shumëdimensional që ai u bënë veprave të tij. Përdor ngjyrat e vajit, por përveç trajtimit jokonvencional që u bën koncepteve në to, njëjtë vepron dhe me teknikën. Të gjitha pikturat ai vendos që t’i punojë në panele alumini. E si të tilla, krahas ngjyrës e cila është punuar në atë mënyrë që mimetizon gëzofin e kafshëve, ato marrin dhe një af dhe kthjelltësi nga tabani metalik ku janë të punuara.
Për vetë artistin, përdorimi i kësaj teknike ia ka mundësuar ta gjente lirinë e kërkuar në shprehje artistike.
“Kjo teknikë është një teknikë tradicionale vaj në një suport, por në këtë rast suporti nuk është një telajo druri siç ndodh tradicionalisht, por është një material alumini industrial, i cili përdoret për gjëra të ndryshme, si në ndërtim, në fotografi e bilborde. Kështu që është diçka ndryshe nga tradicionalja, më ka dhënë një liri që të dal nga tradicionalja dhe të eksperimentoj rreth diçkaje që është ndryshe”.
Shtini ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë nga viti 1997 deri në vitin 2000, ndërkaq shtatë vjet më vonë u bë pjesë e Skowhegan School of Painting and Sculpture në New York. Ai ka hapur disa ekspozita personale, si në shtete të ndryshme të SHBA-së. Në vitin 2010 ai u bë përfitues i bursës “NYFA Painting Fellowship” dhe mori pjesë në programin “Marie Walsh Sharpe Art Foundation Space” gjatë viteve 2014 dhe 2015.
Por, Kosova duket se i ka lënë përshtypje të mira. Tregoi se po ndihet mirë këtu dhe e cilësoi skenën bashkëkohore artistike të vendit si shumë aktive.
“Ndihem shumë mirë këtu, është hera e parë që vij në Kosovë, ndihem shumë mirë dhe jam i befasuar për skenën e artit këtu, ka shumë aktivitet. Nuk e di, në Shqipëri... nuk jam i ingranuar me artin atje, por këtu ndiej një energji pozitive, një dëshirë për të bërë diçka, sado e vështirë që është. Në fakt vështirë kudo, edhe në New York”.
Katharina Schendl, bashkëmenaxhuese e galerisë “Lambdalambdalambda”, tregoi se ekspozita e artistit Shtini vjen si e veçantë dhe e rrallë për rajonin, deri sa ndau dhe një lajm të ri për KOHËN.
“Gjashtë vjet më parë kishim veprat e Lui Shtinit në Prishtinë dhe ishim shumë të lumtura, sepse ai asnjëherë më parë nuk ishte shfaqur me punën e tij në këtë regjion. Ai vetë është nga Shqipëria dhe është shumë i veçantë fakti që po kthehet këtu në Kosovë dhe Shqipëri. Ne jemi galeri e artit bashkëkohor dhe synimi ynë është që të promovojmë artistet, të shesim artin e tyre dhe t’ju ndihmojmë atyre. Tani së shpejti do të prezantohemi në një panair arti në Kore, të quajtur ‘Frieze’ dhe do të prezantojmë veprat e Lui Shtinit dhe Brilant Milazimit” .
Ekspozita “Strange Dreams” do të jetë e hapur për publikun deri më 29 qershor.