EXPRESS

Çështjet ekzistenciale në veprat e finalistëve të “Artistët e së nesërmes”

Tre nga dhjetë artistët në garë për çmimin “Artistët e së nesërmes” janë fituesit potencialë të edicionit të sivjetmë. Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri flasin me gjuhë artistike në qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në ekspozitë të përbashkët. Kapitull unik është secila vepër, ndërsa krejt tërësia, imazh për gjeneratën e re të artistëve. 

“Stacion”, që funksionon në atë që dikur shërbente si hapësirë e klubit të boksit “Prishtina”, ka hapur horizontet artistike të tre emrave të rinj në skenën artistike. Rrugëtimi artistik i sivjetmë me “Artistët e së nesërmes” është veç një hap para finalizimit – shpalljen e fituesit. E vlerësimi për këtë të fundit veçse ka ardhur deri te tre veta. Kanë qenë gjithsej dhjetë artistë në garë. Sipas jurisë, të tretë me punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët. 

“How sad, how lovely” emërtohen veprat e artistes Mimoza Sahiti. Është një lloj ekspozite brenda ekspozitës me veprën pesëpjesëshe. 

Vepra eksploron identitetin e njeriut dhe është si një lloj paraleleje midis botës së jashtme dhe të brendshme. Trajton luftën e njeriut me vetveten dhe me atë çfarë e rrethon.

Sahiti ka thënë se veprat reprezantojnë edhe plagët, vuajtjet në jetë e luftën për mbijetesë.  

“Ideja ka qenë të shfaqet rrugëtimi, mundimi për jetën, përshtatja në një rreth dhe tentativat për të kërkuar një vend ku përshtatesh. Piktura e dytë e ka një armë të drejtuar kah vetja dhe një tjetër të drejtuar kah bota e jashtme. Është lufta që ka njeriu krejt kohën me vetëm dhe me botën e jashtme se kush jam unë dhe çfarë jam duke dashur, lidhet me identitet dhe me jetën e njeriut. Lidhet me mbijetesën dhe sesi merremi me veten”.

Luiza Thaqi trajton ndikimin e shoqërisë në ekologjinë. Këtë e bën duke prekur koncepte si pronësia e tokës, mënyrën se si ajo trajtohet. Me veprën e saj “Vend i drejtuar nga toka” ajo e prezanton trajtimin e një hapësire minimale në një formë trekëndëshi të rrethuar nga dy objekte si dhe ai që dikur shërbente si klub i boksit.

“Si proces ka filluar pas shpalljes së tre finalistëve ku njëra prej tyre kam qenë edhe unë. Me idenë që e kam propozuar ka qenë trajtimi i tokave dhe ideja e të pasurit në pronësi tokën. Në momentin që një tokë është në pronësi, si trajtohet ajo, a është vetëm aset apo përdorimi i saj po e shfaq një qëndrueshmëri sociale. Puna ime ka qasje ekologjike, kjo ka qenë ideja me të cilën kam aplikuar ndërsa duke biseduar me ekipin që e organizon këtë çmim kam arritur ta identifikoj këtë hapësirë”.

Juria ka qenë në përbërje prej artistes gjermane, bashkëthemelueses e redaktores së “e-flux” Julieta Aranda, artistes e drejtoreshës së qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Miljana Dungjerin, sociologia e profesoresha e asociuar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Vjollca Krasniqi, turku Alper Turan – kurator e shkrimtar si dhe artisti e kuratori Lulzim Zeqiri.

Tjetër rrëfim i veçantë ka qenë vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit i cili sjell dy pjesë të saj. E para është skulptura prej gjipsi në formë truri, por me format rrethore më të theksuara të cilat lënë hapësirë për të perceptuar të tjera imazhe. Duket se ky tru del nga muri. Artisti Dion Zeqiri ka hezituar të flasë për veprën e tij. 

Albert Heta, udhëheqës i qendrës për art bashkëkohor “Stacion” që e organizon garën “Artistët e së nesërmes”, ka thënë se ky çmim e tregon rëndësinë e ekzistencës së tij dhe se çdoherë ofron hapësirë për eksperimentim dhe zhvillim të mëtutjeshëm. 

“Bashkëpunimi i artistëve të rinj me institucione që e kanë krijuar një përvojë e kanë njëfarë kredibiliteti, çdoherë konsiderohet i domosdoshëm dhe i nevojshëm sepse në faza të hershme të zhvillimit, skenat që nuk kanë përkrahje, dinë edhe të devijojnë. Prej tendencave dominuese konform pritjeve të të tjerëve, ti shpeshherë di ta shkurtosh mundësinë tënde të jesh më kritik për t’u përshtatur më tepër. Ne tërë kohën mundohemi të ofrojmë një hapësirë të lirë”.

Ekspozita me veprat e tre artistëve do të qëndrojë e hapur për një muaj ndërsa fituesi i sivjetmë i “Artistët e së nesërmes” do të shpallet më 7 dhjetor.