Arti i saj është një reflektim mbi patriarkatin dhe shtypjen emocionale të burrave. Blerta Kambo, e quan “feminizëm në mbrojtje të burrave”. E një koncept si ky zbërthehet me estetikë në projektin e saj artistik, “Man of the Castle/Burrë i kështjellës”, i cili u shpalos pjesërisht edhe në Prishtinë, në “Galerinë 17”.
Në një botë ku debati mbi barazinë gjinore shpesh përqendrohet në sfidat e grave dhe vajzave, Blerta Kambo ofron një perspektivë unike që sfidon këndvështrimet tradicionale mbi patriarkatin. Projekti i saj artistik “Man of the Castle/Burrë i kështjellës” zhytet në një eksplorim më të thellë. Përbiron te shtypja emocionale dhe pritshmëritë e rënda që patriarkati ua imponon burrave dhe djemve. Vetë ajo, e quan “feminizëm në mbrojtje të burrave”.
Kambo, nëpërmjet ndjeshmërisë, sjell në vëmendje mënyrat se si normat shoqërore i detyrojnë burrat t’i heshtin emocionet e tyre. Aty janë fotografitë që flasin në gjuhën e simbolikës, si kullat e kështjellave të ndriçuara me drita infra të kuqe. Krijon një univers që sfidon perceptimin klasik të ngjyrave. Ajo në instilacionin e saj përdor edhe disa thënie popullore të cilat në fokus e kanë gruan dhe vajzën. Projekti i saj, “Burrat e kështjellës”, ka ardhur në një format të pjesshëm edhe në Prishtinë me ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma në “Galerinë 17”.
Veprat artistike nuk janë thjesht akuzë ndaj patriarkatit, por ftesë për reflektim. Ajo i fton qytetarët të shohin përtej stereotipeve dhe të kuptojnë se si shoqëria, në mënyra të ndryshme, krijon kushte shtypëse si për burrat, ashtu edhe për gratë. Prek me empati plagët e padukshme të një sistemi që ka formësuar jetët e kësaj shoqërie.
Kambo nuk kërkon vetëm të provokojë, por të nxisë edhe diskutim të gjerë mbi nevojën për një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj sfidave që përballen të gjithë, pa dallim gjinie. Veprat e saj janë dritare drejt një realiteti të hidhur, por edhe një rreze shprese për ndryshim.
Instilacioni i saj trajton një çështje të rrënjosur thellë në shoqërinë shqiptare: gjakmarrjen dhe ndikimin e saj tek individët dhe familjet. Një nga seritë fotografike të shfaqura, nxjerr në pah izolimin fizik dhe psikologjik të përjetuar nga burrat dhe djemtë që jetojnë me frikën e hakmarrjes. Kjo ndjenjë izolimi pasqyron një mesazh domethënës nga Kanuni, ku kodet morale dhe shoqërore diktojnë jetën dhe ndëshkimin. Gjakmarrja, e rrënjosur në një kuptim të vjetruar të nderit dhe turpit, pengon çdo shans për çlirim dhe përparim, duke rezultuar në rezultate tragjike për breza të tërë.
Blerta Kambo, artiste vizuale nga Shqipëria, ishte pjesë e “Pop-up Art Week” në “Galerinë 17”, që shfaq pjesë nga projekti i saj artistik “Man of the Castle/Burrë i kështjellës”.
“Mua më pëlqen ta quaj feminizëm në mbrojtje të burrave. Shoqëria patriarkale i detyron burrat dhe djemtë të performojnë një heshtje emocionale, që unë e barazoj me një shtypje të ngjashme me atë që i bëhet grave dhe vajzave”.
“Man of the Castle” është shfaqur dy herë në Tiranë gjatë këtij viti, fillimisht në COD (Center for Openness and Dialogue) dhe më pas në “Tulla Cultural Center”, me kërkesë të një kolektivi të rinisë, pjesë e të cilit është edhe vetë Kambo.
“Është një prej punëve që unë e kam shumë për zemër. Në këtë projekt përpiqem të shfaq empatinë time për vështirësitë që hasin djemtë dhe burrat. Një prej pjesëve më të rëndësishme të projektit është një triptik që mbulon një faqe të tërë muri dhe përmban një përsëritje të kullës së kështjellës”.
Për Kambon, kulla ka një domethënie të veçantë, duke simbolizuar “kullën e ngujimit” sipas Kanunit.
“Imagjinoj gjithmonë një djalë të vogël që i thuhet se duhet të ngujohesh në kullë, përndryshe gjakmarrja do të të zërë. Kjo është një formë shtypjeje që, edhe pse ndryshe, ende ekziston në shoqërinë tonë. Djemve u kërkohet të jenë të fortë dhe ky është paralelizmi që unë bëj. Pra, kulla mbrojtje, në mbrojtje ndaj shoqërisë, në mbrojtje edhe ndaj vetvetes”.
Kambo ka thënë se shpreson që ky projekt të vijë i plotë në Kosovë përderisa synon ta çojë edhe nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë por edhe përtej.
“Në fakt kjo vlen si histori kudo në Ballkan, rajon ky i cili është prekur tej mase nga konflikte dhe nga luftëra që i ka bërë praktikisht djemtë dhe burrat, le të themi, agresivë por ndërkohë dhe pak më në shoqërinë të presin më shumë prej tyre e automatikisht t’i vërë në pozicion që krijon kushtet e një lloj agresioni”.
Gjatë “Javës së Pop Artit” ekspozohen instilacionet që janë pjesë e kapitullit “Lindja” dhe “Dashuria”.