Një mjedis akademik ku lënda mësimore vjen te nxënësit në forma kreative, duke synuar interaktivitetin në të nxënë, siguron që pjesëmarrësit të jenë aktivë, të nxitur nga ana vizuale. Ky është dhe synimi kryesor i Bibliotekës së re Digjitale për mësimdhënësit, projekt i realizuar nga Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFesti” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Arsimit, në përputhje me Kornizën Kurrikulare të Republikës së Kosovës. Kjo platformë virtuale me materiale didaktike për përdorimin e filmit në klasë, vjen si mundësi për mësimdhënësit që orët mësimore t’i pasurojnë me materiale audiovizuale si filmat e shkurtër dokumentarë që u shërbejnë lëndëve dhe tematikave të ndryshme.
Potenciali i filmit si “art i shtatë” paraqitet si një medium jashtëzakonisht i fuqishëm dhe tërheqës. Por është shfrytëzuar pamjaftueshëm. Andaj, nëpërmjet këtij projekti synohet që mësimdhënësit e të gjitha niveleve në shkollat publike të Kosovës të kenë ekskluzivitetin të regjistrohen në këtë Bibliotekë, në të cilën gjenden filma dokumentarë si mjete për të zhvilluar punën e mësimdhënies krahas metodave tradicionale.
Në lansimin e këtij projekti, paraditen e së martës është potencuar vazhdimisht nga folësit edhe roli i medias në kulturë. Është trajtuar roli i metodave të transmetimit të informacionit dhe mënyrat direkte se si ato ndikojnë në procese të ndryshme sociale, e në veçanti tek edukimi formal.
Linda Llulla-Gashi, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFestit”, ka potencuar pikërisht këtë duke e prezantuar edhe karakterin e këtij projekti.
“Platforma integron filma dokumentarë në kurrikulë. Filmat dhe materialet ndihmojnë të zhvillojnë njohuri, mendimin kritik dhe po ashtu platforma ofron seminare dhe trajnime për mësuesit. Platforma jonë përmban 200 filma dhe rreth 130 fleta të punës të gjitha të harmonizuara me kornizën kurrikulare të Republikës së Kosovës”.
Ky projekt i cili u realizua edhe në bashkëpunim me fakultetet e edukimit nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Prizrenit, për udhëheqësin e “DokuLab”, Eroll Bilibani, pasqyron idenë e integrimit të filmit në programet kurrikulare. Koha kur ata kishin punuar në këtë ide përkonte me pandeminë, dhe si e tillë u kishte ofruar kohë të mjaftueshme që ta trajtojnë në detaje.
Nëpërmjet kësaj qasjeje inovative në mësimdhënie, me metoda digjitale, veçanërisht nëpërmjet filmit synohet dhe nxitja e aktivizimit te nxënësit përtej përpjekjeve të tjera. Në platformë ofrohen filma të shkurtër të krijuar nga “DokuFest” në 15 vjet. Janë 200 sosh, të cilët do të ndihmojnë në nxitjen e mendimit kritik dhe analitik.
Projekti që vjen si ndihmesë për të plotësuar kriteret e Memorandumit të Bashkëpunimit midis “DokuFestit” dhe MASHTI-it, mundësohet nga National Endowment for Democracy (NED) dhe mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSCE-së në Kosovë. Michael Davenport, ambasador i këtij misioni në Kosovë, platformën e ka cilësuar si një tip “Netflixi”. Sipas tij, roli i digjitales në transmetimin e informacionit të saktë dhe të vërtetë është çështje e cila meriton gjithnjë vëmendjen.
Në pamundësi që të jetë e pranishme në këtë ngjarje, ministrja e Arsimit Ministrja Arbërie Nagavci, është përfaqësuar nga shefja e kabinetit të saj Bora Shpuza, e cila ka folur rreth rëndësisë së iniciativave të tilla dhe vënies në dispozicion të resorëve digjitale.
“Gjatë tërë historisë së njerëzimit biblioteka i ka shërbyer qëllimit fisnik të ruajtjes së ideve dhe arritjeve të njeriut duke i vënë ato në dispozicion të shoqërisë dhe historisë. Krahas letërsisë artistike që mban biblioteka është shtëpia e së vërtetës ku faktet dhe informatat janë të sigurta dhe të vërteta. Rëndësia e saj vetëm është e shtuar dhe biblioteka në tërë botën vazhdon të mbetet burim i pashtershëm dhe i pakontestuar i realitetit. Biblioteka digjitale që lansohet sot, e vazhdon këtë mision fisnik, por tani me forma moderne dhe qasje më të lehtë”.
“Ne jemi ata të cilët sot në epokën digjitale duhet ta shndërrojmë klasën në atë se çfarë kërkon dokumenti ynë zyrtar, duhet ta shndërrojmë atë në një klasë kreative që i përshtatet secilit nxënës, secilit interes të tyre. Ne përmes këtyre filmave mund të sjellim një kreativitet tonin, duke përçuar mesazhin te nxënësit. Shumë shpesh kur takohem me kolegët e mi mësimdhënës citoj fjalët e Maria Montessorit: ‘Nëse dëshirojmë ta prekim trurin e tyre, nëse dëshirojmë të na besojnë fëmijët atë që ne u themi duhet ta prekim zemrën e tyre fillimisht. Andaj përmes qasjes bashkëkohore të të nxënit, ne duhet ta prekim zemrën e tyre”.
Biblioteka Digjitale e cila synohet që të vihet në përdorim të plotë prej vitit të ri shkollor në shtator, sipas zotimit të “DokuFestit”, pritet të përditësohet në vazhdimësi me tituj të rinj filmash.