Janë tetë talentë të rinj në muzikë, edhe pse secili i orientuar në zhanre e stile të ndryshme këndimi, bashkë i bëri artisti Bekim Këpuska.
Albumi “Beko&Friends” vjen si një pasaportë e këtyre tetë artistëve që ju hap rrugë në skenën muzikore të vendit. Ndërkaq Këpuska si kompozitor dhe tekstshkrues i 11 këngëve iu bë krah atyre duke iu mundësuar disave nga ta që të shkelin për herë të parë dhe studiot muzikore.
Vetë ai, si profesor i baterive, do ta bluante në kokë një ide të re prej vitesh, pasi që ka qenë kaherë i afërt me talentë të rinj në muzikë e në të njëjtën kohë kishte evidentuar dhe nevojën e tyre për mbështetje.
Kjo ide u kthye në projekt, u realizua pas një viti e pak pune, dhe të mërkurën mbrëma u kurorëzua me një koncert që për motiv parësor kishte lansimin e këtyre artistëve premtues dhe punës së tyre në albumin e tyre “Beko&Friends”.
Pak momente para performancës Këpuska plot krenari ndau disa detaje nga kjo ide që i kishte lindur atij, procesi i punës me ta, dhe mesazhi që ai mëton të transmetojë nëpërmjet kësaj iniciative.
“Kam disa vite që jam marr me krijimtarinë e muzikës për këtë projekt, por i erdh momenti qe të realizohet, gjeta përkrahjen dhe te MKRS-ja kështu që i kam gjet talentet e duhur dhe e realizuam ne mënyrën më perfektë. Gati 1 vit ka zgjat që nga qershori i vitit te kaluar, dhe tash e kurorëzuam me një koncert në ‘Defy Them’, zhanri është pop rok. Unë jam dhe profesor i baterive dhe kam kontakt më të rinj dhe fëmijë tërë kohën, e gjej inspirimin te ta rinohem, dhe kështu ë erdhi ideja që të krijoj një album me këngëtar të ndryshëm të moshave të reja”.
Nikoqir i këtij koncerti krejt të veçantë ishte qendra kulturore e muzikës alternative “DefyThem”, ndërkaq publiku përbehej nga miq, familjarë e mbështetës të këtyre artistëve të rinj.
Elona Sadiku , Auron Deva , Vlera Firza , Ëmbla , Ermal Demiri , Rita Hyseni, Troja Bicurri , dhe Dhjetori qenë artistët të cilët u prezantuan secili veç e veç me nga një këngë origjinale, të cilat si prodhime anonin më shumë nga zhanret e muzikës pop dhe rock.
“Në përjetësi”, “Trëndafili”, “Bora ngrica”, “Rrugë”, dhe “Ndër yje” ishin vetëm disa nga këngët e performuara, por në fund të koncertit që zgjati 1 orë e pak, 8-shja vulosën performancën e tyre – të karakterizuar nga stili e kapaciteti i vokalit, dhe paraqitja skenike – me një këngë në grup që e kënduan të tetit tok së bashkë.
Si e tillë kjo këngë del të jetë ajo e cila edhe pse secili nga ta dallon nga njëri tjetri, ajo i bën bashkë ata nën një kauzë të vetme, si pikë e përbashkët. Njëzëri u thonë “Boll më” mundësive të cunguara për artistët e rinj.
“Besoj që kjo mund të shprehet me këngën e cila shpreh se si artistët në Kosovë e kanë shumë të vështire depërtimin në biznesin e muzikës, kjo na bashkon fakti se secili po mundohemi t’i tejkalojmë ato pengesa dhe të dalim sa më të fortë me muzikën tonë, jo vetëm tash por edhe në përgjithësi, të na jap atë vetëbesimin për karrierën në të ardhmen”.
Regjistrimi i këngës në një studio kishte qenë eksperiencë e veçantë, ndërsa përmes kësaj kënge ata e japin mesazhin e tyre qartazi edhe njëherë tjetër përmes artit. Edhe për Endrit Krasniqin, emri artistik i të cilit është “Dhjetori”, kjo eksperiencë ishte e veçantë, ani pse për dallim nga kolegët e tij, ai ka eksperiencë në regjistrim këngësh. “Once upon a star” është albumi i tij i parë që u publikua vitin e kaluar.
“Kur e kemi realizu këngën ‘Boll mo’ ka qene eksperiencë interesante, kemi qenë 7-8 artistë duke pritur për të hyrë në një studio të vogël, duke pritur në radhë për ta regjistruar zërin. Këngët që i ka shkruar Beka, secila nga to e kanë nga një ndjenë të veçantë, sidomos kënga e fundit ‘Boll mo’ e cila na jep këtë mesazh të protestës. Ne artistët e rinj nëse duam të rrimë këtu, ky vend duhet me na jep mundësi”.
Gjatë gjithë koncertit publiku nuk rreshti duke iu dhënë atyre mbështetje me ovacione dhe duartrokitje të vazhdueshme, tekstet dhe këngët e shkruara nga Bekim Këpuska nën përcjellje të bendit nga instrumentistë si Engjell Blaku, Genc Hajrizi Urim Maliqi, Valdrin Maxhuni, dhe Shpetim Smolica, u dhuruan lirinë maksimale interpretuesve.
“Për arsye se është kënga ime e parë në kuadër të këtij projekti, me këndu live atë me bendin është një emocion i papërshkrueshëm dhe jam e gëzuar qe jam pjesë e këtij projekti”.
Emocionuese dhe ndjesi krejt ndryshe nga herët e tjera ishte dhe për Ermal Demirin, i cili u paraqit në koncert me këngën “Ndër Yje”.
“Për mua si artist i ri kur me është prezentuar si projekt e kam pranuar me shume qejf sepse kam dashtë ta provoj veten ne mënyra te tjera, më ndryshe. Ka dalë diçka shume e bukur dhe falënderimi shkon për Bekën, për këtë projekt aq të bukur që na ka mundësuar ta realizojmë”.
Ndërkaq albumi me 11 këngët gjendet për publikun e gjerë dhe në kanalin e “Beko&friends” në Youtube. Teksa ata si formacion premtojnë që ky projekt nuk do të jetë i fundit. Ata e nisën duke bashkuar fuqitë për të bërë secili vendin e vet të merituar në skenën artistike të Kosovës.