EXPRESS

“Bekime dhe mallkime” bashkon krijimet poetike popullore

Në “Bekime dhe mallkime” të Vlora Nikçit mblidhet opusi i trashëgimisë gojore shqiptare. Poezitë aty janë koleksione të pasurisë së lashtë shpirtërore që përcillen te brezat e sotëm. Vepra e aktores Nikçi është promovuar të hënën mbrëma në Prishtinë.

Në “Bekime dhe mallkime” të Vlora Nikçit mblidhet opusi i trashëgimisë gojore shqiptare. Aty janë edhe erotika, mitologjia e besëtytnia. Vepra e aktores Nikçi është promovuar në Prishtinë, në mensën “Ramiz Sadiku”. 

Mysafirët janë pritur nën ritmet e kitarës nga Florin Fanaj e Florent Abrashi dhe perkusionistit Ferdi Fanaj në atmosferë të ngrohtë e të hareshme. Paneli i diskutimit për librin ka qenë pjesa qendrore. 
Shkrimtarja e botuesja Rita Petro, studiuesi Sali Bytyqi e vetë Nikqi, që ka mbledhur poezitë e librit “Bekime dhe mallkime”, kanë qenë pjesë e panelit. 

Petro ka thënë se libri është vlerë e shtuar e të gjitha botimeve që janë bërë për trashëgiminë kulturore. 

“Ky libër në fakt erdhi si një bashkëpunim i parë me Vlorën dhe që unë nuk e dija që do të ishte një punë shumë e vështirë, pak e komplikuar, sepse Vlora është shumë detajiste. Donte të merrte pjesë në gjithçka. Ne botojmë shumë libra, por nganjëherë autorët thonë ‘bëni çfarë të doni, kemi besim tek ju’. Jo pse Vlora nuk kishte besim, por donte t’i qëndronte librit me patjetër, pos pjesës së përmbajtjes, edhe dizajnimit”, ka theksuar Petro.

Sipas studiuesit Sali Bytyqi, misioni i Nikçit me këtë vepër ka qenë të kontribuojë në literaturën me të cilën dokumentohet tradita shqiptare. 

“Vlora gjithë këtë punë e ka bërë vetëm nga dashuria për etninë e saj, për ne shqiptarët. Bekimet dhe mallkimet shprehin dy anët e kundërta të njësisë së jetës që shënjojnë kompleksitetin e të jetuarit të njeriut në këtë kohë të së mirës dhe së keqes. Në mes të së bukurës dhe të shëmtuarës.

Kompozicione në mes të së mirës dhe së keqes, në estetikë populli e ka shënjuar përmes bekimeve dhe mallkimeve, të cilat Vlora Nikçi i ka bërë bashkë në një libër, i cili tanimë është para nesh”, ka deklaruara  Bytyqi.

Nikçi fjalën e ka nisur me nderimin për profesorin e ndjerë Isuf Dedushaj, epidemiologun e parë në Kosovë, që vdiq më 1 shkurt në moshën 73-vjeçare. Në promovim, vepra e tij është nderuar me një minutë heshtje. 

“Në librin tim ‘Bekime dhe mallkime’ kanë punuar shumë njerëz brenda tij. Një ndër ta, që me shumë dëshirë priste ditën e sotme, ka qenë edhe profesori ynë Isuf Dedushaj. Ai iku para dy ditëve dhe sot nuk është me ne. Për respekt të punës së tij madhore si profesor e patriot, do ta mbajmë një minutë heshtje”, ka thënë Nikçi.

Mallkimet e bekimet popullore në libër lidhen me mitologjitë, besëtytnitë e me motive religjioze. 
Libri ka qenë edhe një lloj homazhi për shkrimtarin e studiuesin e disa disiplinave albanologjike, Sadri Fetiu, me të cilin Nikçi kishte nisur ta punonte këtë botim. 

“Pas librit erotik kam pasur një bashkëpunim shumë të madh me prof. dr. Sadri Fetiun. Ishte ideja dhe shtytja e tij që unë ta bëja ‘Bekime dhe mallkime’. Ai e nisi me mua, më tha ‘meqë i njeh gjithë këta njerëz të këtyre trevave mos u ndal, bëje edhe këtë’. E filluam bashkë. Pas një viti edhe ai shkoi në botën tjetër dhe pastaj mbeta vetëm”, ka shtuar Nikçi.

Fetiu vdiq më 10 maj 2021 dhe “Bekime dhe mallkime” është dedikim për të. 

Vlora Nikçi, bashkë me aktorët Arta Muçaj, Armend Baloku, Bislim Muçaj, Xhejlane Tërbunja, Lulzim Bucolli dhe Donika Ahmeti kanë interpretuar poezitë e librit “Bekime dhe mallkime”. Ato dëshmohen për foljet e gegërishtes në mënyrën dëshirore. Mallkimet e bekimet gërshetohen në vargje, shpesh të shoqëruara nga humoreska.