EXPRESS

“Bëje ose vdis” homazh teatror për të zhdukurit

Aktiviteti i Ukshin Hotit në publik përmblidhet në një fjalë të vetme – veprimtar. Ashtu ngjan edhe në shfaqjen që është produksion i teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. Në shfaqjen “Bëje ose vdis” fati i intelektualit vjen si homazh për të zhdukurit

Në shfaqjen “Bëje ose vdis” me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, figura e Ukshin Hotit vjen si simbol i fatit tragjik i të burgosurve politikë shqiptarë. Aty vuajtjet vetëcensurohen e idealet shprehen përkundër pasojave. Protagonisti në qendër është emblemë e kujtimit të të zhdukurve. Skenat e shfaqjes dokumentare janë sekuenca të bazuara në fakte. Ajo vë në skenë figurën që reprezenton rezistencën e popullit ndaj regjimit serb. 

Aktiviteti i Ukshin Hotit prej shkrimtari, filozofi, intelektuali, e veçmas atdhetar i çështjes kombëtar, në publik përmblidhet në një fjalë të vetme – veprimtar. Ashtu ngjan edhe në shfaqjen që është produksion i  teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. Aty personazhet nuk prezantohen, janë figura të shquara që historia i njeh. Por edhe po të mos njiheshin, mozaiku i rrëfimit të shfaqjes i ndërtuar me rrëfime autentike i zbulon duke trajtuar veprën e tyre.

Publikun e pret në skenë aktori Jahja Shehu duke ua kumtuar këta emra. Më pas vëmendja ndahet në dysh. Fillimisht kjo vendosje regjisoriale ngjan se e shpërqendron rrëfimin qendror, por shpejt publiku mësohet me të. 

Rrëfimet e të zhdukurve ngjallen. Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi pasi fillimisht paraqitet në skenë si e burgosur, merr edhe rolin e gjyqtares serbe. I shqipton dënimet varg që të gjitha lidhen me ato që vlerësohen “veprimtari armiqësore”. Ashtu ishte përkthyer veprimtaria e Ukshin Hotit drejt idealeve të tij – për bashkim kombëtar. Gardiania e burgut, rol që e luan aktorja Altina Kusari, duke u mbështetur në kërkesën që Hotin ta lironte burgu një ditë para se të përfundonte dënimin, e inkurajon me ngulm ta bëjë këtë. E “josh” me peizazhin e fshatit të tij, Krushës së Madhe. 

Duke rezistuar ndaj kësaj kërkese, nisin të shfaqen disa rreziqe të jetës së tij gjatë qëndrimit për edhe një ditë tjetër aty. Aktori Ernest Malazogu si ish-i burgosuri politik Bajrush Xhemajli që ndante një dhomë me Ukshin Hotin, i rikrijon ato skena, bashkë me aktoren Albulena Kryeziu-Bokshi, drejtoreshë e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. 

Armend Smajli, njëri prej aktorëve që e luan veprimtarin Ukshin Hoti, ka thënë se ideja e lojës së tyre ka qenë që të mos lëshohen në emocione dhe se tema e fjalët e ish-të burgosurve janë më të rëndësishme se performanca e tyre skenike. 

“Tërësia e saj mund të krijojë një emocion të veçantë, por nuk ka qenë ideja të krijohet diçka shumë emocionale, sesa faktike, dokumentuese, pa tendencë për viktimizimin me ato storje, në kuptimin që secili ta përkthejë si shikues, si të dojë, pa iu imponuar. Me këto tregime është lehtë ta bësh dikë të emocionohet, por nuk ka qenë kjo ideja në këtë rast”, tha Smajli. 

Aktori Edi Kastrati, po ashtu, e luan atdhetarin e çështjes kombëtare. Ka thënë se vetë ndarja e rolit tregon për mosgatishmërinë e tyre për ta portretizuar figurën e Hotit.

“Për faktin që është ndarë roli në tre aktorë, tregon se ne nuk e kemi marrë guximin e plotë për të pasqyruar figurën e madhe të Ukshin Hotit. Kjo tregon se përgjegjësia jonë ka qenë e ndarë në disa pjesë për vetë faktin se nuk kemi pasur, jo guxim, por nuk e kemi pasur momentin ta portretizojmë me një karakter, sepse vetë zhanri i shfaqjes është shfaqje dokumentare. Është lloj homazhi për fatin e Ukshin Hotit”, tha Kastrati. 

Autori i shfaqjes, dramaturgu Jeton Neziraj, ka bërë të ditur se shkrimi i kësaj shfaqjeje i ka zgjatur më shumë se zakonisht. Një draft ishte shkruar shumë më herët me kërkesën e aktorit Bajrush Mjaku, i cili donte të ishte pjesë e shfaqjes. Drama është plotësuar e rishkruar duke përfshirë materiale të tjera. 

“Në esencë është dramë dokumentare, bazën e ka te dokumenti. Ndoshta rreth 80 për qind e materialit është mbi këtë bazë dokumentare, qoftë shkrime të Ukshin Hotit, qoftë intervista a rrëfime të tjerëve për të. Një pjesë e mirë e rrëfimit që bartet në një pjesë të mirë të dramës është i Bajrush Xhemajlit, ish-i burgosur politik, po ashtu në Burgun e Dubravës. Por kemi marrë edhe copëza, analiza, diskutime, shkrime diskuzive në formate të ndryshme dhe nga burime të ndryshme”, tha Neziraj. 

Ka thënë se kjo dramë nëpërmjet fatit të Ukshin Hotit i bën homazh gjithë atij brezi të veprimtarëve.

“Është e rëndësishme që historia të ruhet, të prezervohet dhe të komunikohet me publikun, sepse nëse harrohet, ndoshta tingëllon klishe, por ka tendencë të përsëritet. Kjo është një histori që patjetër duhet ta ruajmë dhe duhet të jetë në komunikim të vazhdueshëm me brezat e rinj sepse paraqet vlerë, para së gjithash. Është ndërtuar mbi disa themele të rëndësishme për gjendjen në të cilën gjendet Kosova”, tha Neziraj. 

Ekspozita në hollin e objektit të teatrit ka qenë uvertura e shfaqjes. Instalacioni me emrat e të zhdukurve të shkruar në letra që qëndrojnë pezull është simbolika e shfaqjes. “Bëje ose vdis” e pati reprizën të dielën, një ditë pas premierës dhe me të Teatri i Gjakovës e mbyll programin për këtë vit.