EXPRESS

Babë e bijë, kampionë në bowling

Është një ditë e zakonshme për Nysretin dhe Kaulën. Babë e bijë, kampionë në bowling, e kalojnë shumicën e kohës duke ushtruar. Nysret dhe Kaula Haziri janë kampionë në fuqi për edicionin 2019/2020 në të dyja kategoritë, ndërsa në kampionatin elitar për edicionin 2020/21 kanë përfunduar sezonin vjeshtor në vendin e parë në kategoritë përkatëse.

Sportistët gjilanas flasin për pasionin e përbashkët, teksa japin një shembull të mirë që sporti nuk ka gjini.

“Ne gjatë javës zakonisht dy deri në tri herë e praktikojmë stërvitjen. Nganjëherë kur jemi para garave edhe më shpesh sepse duhet të punojmë më shumë në bazë të programit, por java e zakonshme është dy-tri herë ushtrime, bashkë me Kaulën. Në pushime të shkollës, pak më shpesh”, ka deklaruar Nysret Haziri.

Ai thotë se në fillim e nisi këtë si atraksion, por më vonë iu bë profesion.

“Se si e kam bartur te vajza, është diçka që s’mund të shpjegohet por sa e kam kuptuar është që Kaula është rritur gjatë garave dhe stërvitjeve të mia. Dhe prej moshës 5 apo 6 vjeç e tutje, veç ka filluar ta ketë kontaktin më të shpeshtë me topat e bowlingut dhe lojën. Prej moshës 9 vjeçare ka filluar të jetë partneri im në pistë”, tha ai.

Kaula është vetëm 11-vjeçare, por sukseset e saj në bowling janë të shumta.

“Arritjet e mia si 11 vjeçare janë që kam marrë pjesë tri vite në Ligën e Kosovës dhe sivjet në Turnirin Ballkanik të Kosovës. Dhe po pres që për vitin 2021 të marrë pjesë në gara të jashtme. Këtë sport e kam nisur me ndihmën e babait tim, që nga mosha 3 vjeçare. E nga mosha 5 vjeçare kam qenë afër babit në gara e stërvitjet. E më vonë kam filluar edhe të luaj. Ëndrra ime është të jem kampione si babi dhe çdo herë kam pasur komente të mira nga njerëzit e rrethit”, ka thënë Kaula Haziri.

Babë e bijë nuk e kanë ndërmend të ndalen në rrugëtimin e përbashkët. Qëllimi i tyre është që trofetë të përfundojnë në sirtarin e familjes Haziri.

Image