Galeria e Fakultetit të Arteve reflektohet nga puna frymëzuese dhe përkushtimi artistik i piktorëve. Janë bashkuar vepra të cilat gërshetojnë në harmoni të rrallë, një peizazh emocionesh dhe reflektimesh. Secila me një identitet të veçantë dhe një zë të heshtur që vizitorët i bën të zhyten në thellësinë e mendimeve dhe ndjesive që ato ngjallnin.
Është ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, e shndërruar tashmë në tradicionale. Të martën mbrëma, është hapur edicioni i gjashtë. Çmimet janë një lloj kulmimi i vernisazhit, por Asociacioni ka tjetër mision: bashkon artistët, shpalos arritjet në artet pamore, mban kontaktin me publikun. Fatmir Krypa, Faik Krasniqi e Adem Rusinovci kanë marrë tre çmimet e këtij edicioni.
Krejt ekspozita është një simfoni ngjyrash e kompozicionesh, skulpturat i jepnin formë materializuese ideve dhe ndjesive që shpesh mbesin të pashprehura.
Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës në fjalimin e tij hyrës fillimisht ka përshëndetur përfaqësuesit e ambasadave të së Sllovenisë e të Malit Të Zi dhe të gjithë që kishin ardhur, duke i veçuar artistët pjesëmarrës që për çdo vjet sjellin dritare të reja të bashkëpunimit përmes ngjyrave dhe artit bashkëkohor.
“Ky është edicioni i gjashtë i ekspozitës se anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës. Këtu nuk jemi vetëm pjesëmarrës, por jemi edhe pjesë e krijimeve bashkëkohore. Është mirë ta kuptojmë që Asociacioni është i Kosovës jo i individëve, duke e lënë gjuhën që vepra dhe arti të flasin ashtu siç dinë vetë”.
Grafisti i njohur Fatmir Krypa në ekspozitën e Asociacionit ka prezantuar grafikën nga cikli i tij “Kulla çame e braktisur” e cila bart emocion të veçantë për të. Nëpërmjet saj shpreh motive kombëtare. Qe inspiruar nga një përvojë e një gruaje të moshuar, e cila ishte kthyer në Çamëri dhe i kishte puthur themelet e shtëpisë.
Krypa ka theksuar se veprat e tij shpesh mbajnë karakter dokumentar, duke reflektuar jetën dhe traditën shqiptare. Grafisti i shquar, njëri prej pionierëve të artit akademik në këto anë, ka pasur porosi e vërejtje për brezin e ri.
“Gjeneratat e reja nuk po na përfillin për atë çka i kemi mësuar dhe nuk po e praktikojnë atë. Kjo më brengos, sepse trashëgimia kulturore është ajo që na prezanton në botën e jashtme. Edhe arritjet e mia në arenën ndërkombëtare, që më duhet ta përmend pjesëmarrjen dhe suksesin në Bienalen e Grafikës në Kinë, ku dy grafikat e mia janë blerë dhe sot janë pjesë e një muzeu të njohur në botë. Por, pse mos ta bëjë edhe dikush tjetër”.
Faik Krasniqi ka marrë çmim me veprën “Kulmet e bardha”. Shtjellon temën e dimrit në artin e tij dhe vepra harmonizohet me këtë periudhë. Për veprën e tij ka thënë se “motivi kryesor është dimri, një fragment nga kjo stinë magjike”.
“Dimri mbart një poezi të veçantë, e cila frymëzon artistët përmes ndjesisë së pastërtisë dhe festës. Dimri në art ka një gjuhë unike – ajo është e heshtur, por e mbushur me jetë”.
E veçantë është vepra nga cikli “Tranzicioni” e Adem Rusinovcit, po ashtu fitues. Vjen në teknikë të kombinuar e mesazhi i saj është reflektim i shoqërisë së Kosovës. Teknika jep përshtypjen se është një lloj pikture tredimensionale e në fokus janë gratë, duke i dhënë shumë kuptimësi veprës.
Valbona Rexhepi bashkë me historianin e artit Fejaz Drançolli dhe Yllka Fetahajn, kanë qenë anëtarët e jurisë.
“Jemi munduar t’i zgjedhim punimet më të mira të cilat mendojmë që kanë vlerë dhe besoj që edhe publiku mendon të njëjtën gjë si ne, sepse duhet të mësohemi që shpërblimi të jepet për vlerën jo për individin”.
Ekspozita, siç e zbërthen Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës – organizatë joqeveritare, joprofitabile dhe profesionale – sjell vepra duke filluar nga fryma e introduktit real, ekspresiv, surreal, abstrakt, e deri te trendet më aktuale të artit konceptual.