EXPRESS

“Anibari” fokuson njeriun

Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar tashmë ka hapur portat e kinemasë së qytetit për t’i ulur të interesuarit përballë ekraneve të mëdha. Filmat i shkojnë për shtat temës së sivjetme, “Shembe patriarkatin!”.

Të martën, në ditën e dytë të “Anibarit”, “Kissing Day” njëri prej gjashtë filmave në kategorinë për të drejtat e njeriut,  solli versionin real, por nëpërmjet animacionit, të asaj që kishte ndodhur në Rusi këtu e 12 vjet më parë. Regjisorja Ligebita Libera nëpërmjet një interviste me gazetaren e njohur ruse, njëherësh aktiviste e komunitetit LGBTQ, Elena Kostyuçenko, ka zbuluar shumë gjëra që i kanë hyrë në punë në animacion. Filmi nis me një çift grash që marrin vesh se me ligj shteti ua ndalon marrëdhënien, përderisa organizatat që merren me këto punë kualifikohen si ekstremiste. Drama në film shkon deri në skajin sa e ëma i lutet së bijës që të braktisë vendin e saj, shkaku se nuk gëzon liri dhe rrezikon të hyjë në burg.

Një tjetër program është ai “Monstruosas” me shtatë animacione nga Franca. U kushtohet veç grave. Në filmat e këtij programi realiteti nuk zë vend. Te “Godzalina”, nën regji të Lucile Paras, një vajzë që ngacmohet rrugëve të Parisit ndihmohet nga një krijesë jonjerëzore që i zvogëlon meshkujt që ngacmojnë atë.

Marryam Khan është artiste e multimedias nga Pakistani, e cila po e ndjek edicionin e sivjetmë të “Anibarit”. Ka thënë se të drejtat e grave në Kosovë janë shumë më të avancuara sesa në Pakistan.

“Me të vërtetë i shijova të gjithë filmat që u shfaqën sot dhe më pëlqyen shumë. Më pëlqyen tematikat e filmave e po ashtu edhe ekipi i festivalit, janë shumë të mirë…. Sa i përket Kosovës, po më pëlqen shumë, njerëzit janë shumë të shoqërueshëm dhe duket të jetë një vend paqësor. Është hera ime e parë këtu, po e shoh që femrat këtu janë shumë të lira të komunikojnë me njerëzit. Mirëpo në Pakistan bërja e kësaj gjëje është e pasigurt. Të ecësh vetë në rrugë atje është e rrezikshme. Gratë këtu janë më të lira dhe gjendja e grave është shumë më e mirë sesa në Pakistan. Vetëm gratë vendase të komunitetit pakistanez po luftojnë për të drejtat dhe lirinë e tyre, sepse ato nuk janë të kënaqura me stereotipat dhe gjendjen atje”.

Për Silvia Gutierrez nga Suedia, interesante në “Anibar” është edhe tema e sivjetme. Ajo thotë se tema të tilla nëpër festivale kanë ndikim të fuqishëm.

“Më pëlqen përzierja që kanë bërë me filmat. Mendoj që gjithçka këtu është e kuptueshme dhe të gjithë filmat e kanë një mesazh të fortë. Një që më pëlqeu shumë gjatë ditës së sotme ishte ai që fliste për ndryshimin e gjinisë. Ishte shumë bukur i realizuar dhe kishte ndikim te unë. Dhe për një kohë të gjatë do të mbesë në kokën time”.

“Anibar” përtej shfaqjes së filmave të animuar e ngritjes së kauzave e ka në fokus edhe ndihmesën e të rinjve që ia mësyjnë animacionit. Po në ditën e dytë është finalizuar një marrëveshje që vendit i sjell 480 mijë euro nga Qeveria e Francës. Destinohet për trajnimin dhe pavarësimin e të rinjve për të prodhuar përmbajtje audiovizuale.

Drejtori ekzekutiv i “Anibarit”, Vullnet Sanaja, ka nënshkruar marrëveshjen me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, nëpërmjet së cilës Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës financon projektin “Génesis”, që do të zbatohet nga “Anibari” dhe Instituti i Francës në Kosovë, i themeluar në mars të këtij viti në kuadër të edicionit të 24-t të Javës së Frankofonisë.

“Sapo e nënshkruam marrëveshjen me Ambasadën e Francës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje do të trajnohen 65 të rinj në animacion. Përmes këtij projekti të quajtur ‘Genesis’ të rinjtë do të trajnohen si t’i krijojnë bizneset e tyre të animacionit. Gjithashtu do të ketë edhe vizita studimore në mes të “Anibarit” dhe Ambasadës së Francës dhe do të mbështeten këta të rinj për krijimin e produksioneve të animacionit. Ne jemi shumë të kënaqur që kemi arritur ta bëjmë këtë marrëveshje me të cilën do t’i ndihmojmë për një vit të gjithë animatorët e rinj që të përparojnë”.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë se industria audiovizive në Francë luan një rol shumë të rëndësishëm në identitet, kulturë dhe ekonomi. Ka treguar se më shumë se 250 mijë veta janë të punësuar në rreth 13 mijë kompani në të gjithë Francën.

“Media dhe filmi janë shumë të rëndësishëm për identitetin dhe kulturën e një kombi e po ashtu ka edhe një ndikim të madh në sektorin e ekonomisë.  Ne po punojmë  me ‘Anibarin’ që të trajnojmë të rinj nga Kosova jo vetëm në animacion, por gjithashtu duke i përkrahur e ndihmuar që të krijojë bizneset e tyre. Kemi përzgjedhur diku 65 kosovarë të rinj dhe të talentuar. Prej tani për një vit rresht ata do t’i trajnojmë në fushën e animacionit e po ashtu edhe në mësimin e gjuhës frënge… pas kësaj ne do t’i ndihmojmë dhe mbështesim financiarisht në krijimin e bizneseve të tyre”.

Deri të dielën në punëtori e ligjërata të interesuarit do të “prekin” aspekte të ndryshme të animacionit. Baza sivjet është te “Shembe patriarkatin!”. E “Anibar” po mundohet ta bëjë këtë. Pas vetes ka të rinjtë në forma të ndryshme e ndryshimi fillon prej tyre. Edhe ai për “Shembje të patriarkatit”.