Në prag të 95 vjetëve jetë, Andrija Mutnjakoviq i është kthyer një prej projekteve që e identifikon si arkitekt. Akademiku kroat që pos projektues është edhe teoricien i zoti i arkitekturës, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e sheh si përmbledhje të krejt koncepteve të tij mbi artin e ndërtimit.
Në 80-vjetorin e institucionit më të lartë bibliotekar në vend, si i ftuar nderi, Mutnjakoviq ka pasur një prezantim të projekteve të tij të martën në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës. Projektet janë prezantuar nga arkitekti Rilind Çoçaj i cili ka studiuar arkitekturën e Mutnjakoviqit.
Sa i përket Bibliotekës Kombëtare, Çoçaj ka thënë se Mutnjakoviq studimin e ka filluar nga Aja Sofia në Stamboll, pastaj ka vazhduar me kishat romake në Dalmaci, me arkitekturën ortodokse në Graçanicë e Hamamin e Prizrenit
“Bazuar në strukturalizmit bizantin dhe atë që njihet si “arti informel” ka arritur deri te kubet”, deklaroi arkitekti Rilind Çoçaj.
Akademiku Mutnjakoviq ka dhënë sqarime herë pas here. Ka thënë se krejt projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun. Për Bibliotekën ka thënë se nuk ishte vizion aksidental.
“Evropa është e vogël dhe ka identitetin e vet arkitekturor. Pjesa jonë e Evropës ka për bazë arkitekturën bizantine. Ka një traditë të gjatë të formave bizantine. Drita natyrore është menduar të jetë e gjithanshme. Aspekt tjetër është në lidhje të gjithkohshme me natyrën”.
Si sukses të karrierës e konsideron atë se arkitekturën ia ka kthyer natyrës dhe se njerëzit identifikohen me veprat e tij. E ka konsideruar veten me fat që ka takuar shumë intelektualë në Kosovë dhe ia kanë mundësuar realizmin e projektit. Më meritorin e ka përshkruar arkitektin Bashkim Fehmiu.
Mutnjakoviq, arkitekt, profesor e akademik për 10 vjet kohë pas kohe e kishte mbikëqyrur implementimin e projektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, deri në inaugurimin e saj më 1982. Qe projekti më kompleks i ndërtuar deri në atë kohë në atë që ishte Krahina Socialiste Autonome e ish-Jugosllavisë. E vizioni bashkë me projektin e tij, mbetet edhe sot i patejkalueshëm në veprat publike.
Mutnjakovq ishte i pranishëm edhe në shënimin e 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në këtë ceremoni, institucioni është përshkruar si shtyllë e identitetit kulturor të vendit, përderisa për të disatën herë është thënë se do të nisë një restaurim i përgjithshëm. Nëpërmjet një ekspozite e një koncerti, ceremonia ka prekur historinë e rrugëtimit të Bibliotekës në tetë dekada.