EXPRESS

Adriana Abdullahu – engjëlli i teatrit, ylli i shuar nga regjimi

adriana abdullahu

Emri i saj, qysh në flakët e luftës do të shndërrohej në sinonim të ëndrrave të mëdha për artin, engjëll i teatrit, por edhe dëshmi e krimeve të regjimit serb ndaj civilëve shqiptarë. Kur sapo kishte nisur të merrte hov rrugëtimi i Adriana Abdullahut, edhe në ditët kur sfidoheshin rrethanat e luftës, yllit në ngritje do t’i pritej jeta në vitet e rinisë, në një kafene në Prishtinë, ku i ishte bashkuar asaj që ishte përtej festës së një suksesi midis artistësh.

Imazhi i saj është kthyer në skenën teatrore, me portretin e me fotografi nga e fundit shfaqje ku ka luajtur, të premten në mesditë, në 25-vjetorin e vrasjes. Ishte vetëm 23 vjeçe, kur u vra më 22 mars të vitit 1999. Katër ditë më parë kishte luajtur në shfaqjen “Ushtari mburravec”, në atë që asokohe ishte Teatri Popullor Krahinor. Si për ironi, titulli i shfaqjes disi kapërthente edhe një ngjarje si kjo.

Të pashlyeshme janë konsideruar gjurmët e saj në akademinë përkujtimore “25 vjet pa Adriana Abdullahun” të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku janë bërë bashkë ish-kolegë e familjarë të saj.

Adriana Abdullahu do të diplomonte për aktrim në klasën e profesor Faruk Begollit, më 1998, një vit para se të vritej. Magjinë e skenës do ta përjetonte në teatrin “Dodona”, që në kohën e regjimit serb do të shndërrohej në një lloj oaze e strehë artisësh dhe jo vetëm.

Në akademi përkujtimore, drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtim Sheremeti, që ishte njëri prej kolegëve të studimeve, e ka kujtuar shfaqjen e parë dhe të fundit të saj në atë që sot është Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Adriana e cila në skenën e teatrit tonë luajti në shfaqjen e fundit që shpërfaqte vogëlsinë e një ushtari që krekosej në veprat e tij minore, pak ditë më vonë në skenën e jetës u përball pikërisht me vogëlsinë e një polici kriminel që konsideronte heroizëm vrasjen e një vajze të re e të pambrojtur. Shfaqja e saj e parë në Teatrin Kombëtar, fatkeqësisht është edhe shfaqja e fundit”.

Në “Dodonë”, Abdullahu do të luante edhe në shfaqjet “Martesa”, “Shtatë ngjyra lumturie”, “Marurantët”, “Mbreti Ibish” e në shfaqjen “Stjuardesat”. Ka luajtur edhe në projektet televizive “Elefantët futurojnë në Hoolivud”, “Shihemi në gjyq, bac” dhe “Darka e dreqit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se aktorja Abdullahu njihet për talentin e rrallë, përkushtimin e palëkundur, edukatën e kapacitetin e pashoq për aktrim. Sipas Kurtit, magjia e saj nuk shuhet.

“Pa provokim, pa asnjë arsye, u sulmua arti i Kosovës e artistët tanë. Në këtë mes, tragjikisht humbëm Adrianën tonë. Por jo edhe magjinë e saj. Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë. Adriana quhet ‘Engjëlli i Dodonës’, teatri i qytetit të saj, Ferizaj, quhet Teatri ‘Adriana’, sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet”.

Drita Abdullahu, motra e aktores së ndjerë, ka thënë se Adriana Abdullahu e shijoi magjinë e skenës me gjithë rrethanat në vendin e okupuar.

“Humbja e Adrianës është një plagë që vazhdon të kullojë dhimbje. Adriana si artiste e re nuk arriti kurrë të shijojë profesionin e saj në liri, profesionin që aq shumë e donte. Por luftërat janë të pamëshirshme, prekin shumë familje, siç prekën edhe familjen time të vogël”.

Në hollin e atij që është kthyer në Amfiteatër të Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë ekspozuar gjësende nga fëmijëria e aktores.

Me pikë muzikore në ceremoninë përkujtimore kanë shoqëruar Edona Vatoci dhe Viola Rrecaj.

Aktori Artan Geca, ish-bashkëpunëtor i aktores Abdullahu, e ka vlerësuar atë si njërën prej artisteve më elegante të skenës teatrale.

“Kur dilnim në skenë me Adrianën, diçka ndryshonte. Nuk ka pasur dallim në çfarë niveli ishte. Kur ajo ka dalë në skenë diçka ka ndryshuar. Në mënyrë të natyrshme na ka bërë edhe neve të jemi më të mirë. Prania e saj në skenë, me të drejtë e kanë thënë të gjithë, përfshirë profesorin Faruk e profesorin Fadil Hysaj, pastaj regjisorët me të cilët ka punuar”.

Uliks Zajmi, nipi i aktores së ndjerë, ka thënë se e ka krijuar imazhin për të bazuar në rrëfimet e të afërmve.

“S’e takova asnjëherë Adrianën. Kam dëgjuar vetëm histori rreth pasionit të saj për artin dhe dashamirësinë për jetën, ambiciet për të mbërritur lart, dashurinë për kombin dhe madhështinë e saj. Historitë të cilat janë vërtet befasuese në jetën e saj të shkurtër prej 23 vjetësh, duke marrë parasysh kohën në të cilën është rritur, ajo arriti të japë shumë dhe të ndikojë shumë”.

Adriana Abdullahu u varros më 24 mars të vitit 1999 në Ferizaj. Përderisa emri i saj është përjetësuar në teatrin e qytetit në Ferizaj, teatri “Dodona” do të themelonte çmimin “Adriana”, që e ndante për çdo vit për aktoren më të mirë në kuadër të organizimit të dikurshëm të festivalit ndërkombëtar të studentëve “Skena UP”.