Figura e Abdurrahman Shalës është prej me të veçantave ndër aktorët shqiptarë. Me të parë portretin e tij, ata që janë pak më në moshë e lidhin atë me role filmash a shfaqjesh të cilëve u jepte shpirt.
Por, se ka pasur një fëmijëri të vështirë e se ka punuar prej hamalli në Portin e Durrësit, e ka bredhur me anije tregtare edhe në brigjet e Italisë para se t’ia mësynte artit, pakkush e di.
Prej mbrëmjes së të martës portreti prej njeriu e artisti i Abdurrahman Shalës është përmbledhur në monografinë “Abdurrahman Shala – mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”. Me autor dramaturgun Visar Krusha e botim i organizatës “Integra” hedh dritë mbi jetën dhe veprën e Shalës. Me 48 projekte filmike ku ka marrë pjesë si aktor, regjisor e producent, 58 shfaqje në cilësi të ndryshme, 24 radiodrama e këngëtar i nëntë këngëve, Shala i lindur më 23 dhjetor 1922 në Vushtrri është prej ikonave artistike me të cilat identifikohen teatri e filmi i Kosovës e përtej.
Portreti i tij në skenë a sheshxhirim ishte i njeriut të ashpër me aso
vijash fytyre që thuajse bënin që njerëzit përreth tij të mos vëreheshin.
Monografia në më shumë se 180 faqe – me foto arkivore, shumë prej të cilave të papara në publik – përmbledh jetën e artistit të teatrit, filmit e të këngës. Shpalosen dimensione të shumta të Shalës. Ai besonte se midis shqiptarëve ka shumë artistë.
Mbesa e aktorit, Miranda Shala, ka thënë se rreptësia në fytyrën e tij, prezenca e tij, zëri i tij kur i ka thënë ato pak fjalë kanë reflektuar seriozitet dhe kanë imponuar një autoritet të tmerrshëm.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Shala si aktor, regjisor, producent e drejtues nismëtar i një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë, “KosovaFilmi”, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike kulturore.
Monografia zbulon shumë të pathëna, ose fakte të harruara. Si puna e filmit “Para shiut” të regjisorit Milço Mançevski. Kur edhe sot do të mund të dukej ëndërr një çmim “Oscar”, Abdurrahman Shala mund ta bënte realitet. Më 1995 ky film u nominua për çmimin e madh në kategorinë e “Filmit të huaj”, që tash quhet “Kategoria e filmit ndërkombëtar”. Shala luajti aty bashkë me Arben Kastratin në shqip. Paraprakisht më 1994, filmi mori “Luanin e Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie.
Gjatë promovimit të monografisë shpesh është thënë se Shala – i cili vdiq në mars të vitit 1994- qe shembull i një artisti vizionar që në thelb kishte vlerat.