EXPRESS

“250°c” me veprat në dialog gjeneratash

“250°C” si titull ekspozite vjen si enigmë e asaj çfarë veprat shpalosin. Natyrisht, ka lidhje me nxehtësinë, por jo me çështje klimatike. Artisti Kemil Bekteshi me shtatë vepra reflekton mbi punën, migrimin dhe vlerësimin e punës nga shoqëria. Aty janë edhe stereotipat për diasporën shqiptare në botë. Shenjat e ushqimit janë gjurmët e punës së tij që i ngre në piedestal me prekje artistike. Narrativa e tij e ka hapur “Pop-up art week” në “Galeria 17”.

Të thjeshta në pamje e lehtë të zbërthyeshme duken veprat e artistit boshnjako-shqiptar. Tejet kuptimplote janë mesazhet. Enët prej metali që babai i tij përdor për të pjekur bukën mbajnë yndyrë e shenja të mbetura gjatë përdorimit. Por jo veç kaq. Gjithçka është rreth punës së palodhur për shumë vjet për familjen. Perceptohet si një ironi me shoqërinë për vlerësimin e punës dhe segmentimin e asaj se çfarë është e denjë për shoqërinë të njihet si punë.

Prej veprave të varura në mur sikur kornizat që mbajnë pikturat, dy mbahen pezull nga zinxhirët e instaluar në murin e tavanin e galerisë në kryeqytet. Duket se reprezentojnë burimin e identitetit të tyre. Ato ndërpriten me atë që në veprën e Bekteshit reprezenton punën, profesionin.

Autori Kemil Bekteshi ka thënë se ekspozita shfaq prapaskenat e punës së babait të tij.

“Veprat janë quajtur ‘250°C’ , që është shkalla e nxehtësisë në të cilën piqet buka. Çfarë mund të shohim janë enët të cilat përdor babai im. Babai im është furrtar dhe unë po prezantoj punën e paparë të tij, duke mos u fokusuar në produktin final, por duke u fokusuar saktësisht se çfarë ndodh prapa hapësirës së punës dhe çfarë në atë që është e padukshme te blerësit”.

Edhe në veprat paraprake, kjo është tema kryesore në praktikën artistike të tij. Kemil Bekteshi e quan punën e tij artistike si dialog midis punës së tij dhe të babait.

“Kjo temë është shumë e rëndësishme për mua si punë e zakonshme dhe ajo shtylla kurrizore e praktikës sime është shumë e lidhur me Kosovën dhe identitetin kosovar. Janë stereotipat për diasporën kosovare, sidomos për burrat furrtarë që kanë biznese në këtë fushë. Babai im është në këtë kategori, kështu që unë kam bashkëpunuar shumë me të dhe e gjithë kjo punë është në një formë një dialog midis praktikës së tij dhe praktikës sime”.

Artisti Bekteshi, i cili ka ardhur në Kosovë dhjetë vjet pas ekspozitës së tij të parë në Prishtinë, e ngre punën e palodhur të babait të tij në piedestal duke i veshur njollat e yndyrës e brumit me fleta ari. Ka thënë se fletat e arit në historinë e artit përfaqësojnë veprat e shenjta.

“Historia e fletave të arit në historinë e artit janë përdorur më shumë në tema shumë të rëndësishme, religjioze e sakrale. I përdor ato për diçka shumë të shenjtë, të rëndësishme. I shoh ato si ikona që më kujtojnë në ikonat që mund të lexohen në këtë kuptim për punën që bëhet për të ofruar më të mirën te familja”.

Ekspozita “250°C” ka qëndruar e hapur për rreth tri orë dhe me të është hapur “Pop-up art week”. Njëditore janë të gjitha ekspozitat që do të shfaqen. Në radhë janë edhe ekspozitat “Man of the castle” nga Blerta Kambo më 4 dhjetor, “A silent scream is a yawn” nga Manushaqe Ibrahimi më datë 6 dhe “50 milje në veri të aeroportit të Tiranës” nga Ornela Alia më 9 dhjetor.  Projektet artistike janë përzgjedhur nga artistja italiane Sofia Braga, artistja Doruntina Kastrati dhe kuratorja Fitore Isufi-Shukriu.

“Pop-up art week” i shërben rrjetëzimit dhe dialogut ndërmjet perspektivave dhe programeve midis “Galerisë 17” dhe artistëve e kolektiveve artistike.