“Lojtarët e Zvicrës do të duken të freskët në ndeshjen e një të tetës së finales ndaj Italisë”, ka thënë Fatos Haxhija për mediumin e njohur zviceran “20 Minuten”.
Kjo gazetë ka shkruar se 30-vjeçari Haxhija “është promovuar në Ligë të Kampionëve të berberëve që nga kjo verë”.
“Pse? Yjet e Zvicrës ia besojnë Haxhijës kokën e tyre, apo të paktën flokët e tyre”.
Djaloshi nga Kriensi ka thënë se do të udhëtojë për në Stuttgart për t’ua prerë flokët Granit Xhakës dhe lojtarëve të tjerë. Ai qethi lojtarët e Zvicrës para ndeshjes me Gjermaninë dhe para fillimit të Evropianit, në kampin në St. Gallen. Kontakti u bë javë më parë nëpërmjet lojtarit Leonidas Stergiou.

Haxhija u njoftua me lojtarin e talentuar të Zvicrës gjatë Evropianit U21, vitin e kaluar. E shoqëroi atë për një javë në Rumani me kërkesë të lojtarit tjetër, Darian Malesh.
“Kur u kontaktova nga Leonidas, menjëherë jam pajtuar. Isha plotësisht i humbur, shumë i lumtur dhe nuk kam mundur të besoj. Një ëndërr u realizua për mua”, ka thënë Fatos Haxhija për “20min.ch”.
Ai vazhdon të jetë në disponim të mirë. Ka tri vjet që e udhëheq një sallon për prerjen e flokëve. Thotë se i pëlqen t’i bëjë njerëzit më të bukur, të flasë me ta dhe t’i bëjë të lumtur me qethjen që ua bën.
Ka treguar që “frizura” tipike e futbollistëve është e njohur si “fade”. Flokët anash shkurtohen më shumë e në pjesën e epërme të kokës janë më të gjata.

Ky berber nuk kupton pse ka kritika kur lojtarët i prenë flokët para ndeshjeve.
“Vizita te berberi nuk shpërqendron lojtarët”, thotë Haxhija. Sipas tij, lojtarët duan të duken mirë pasi luajnë para një audience milionëshe.
“Deri më tani qethjet e Haxhijës i sollën fat Zvicrës. A do të jetë kështu në të ardhmen? Shpresojmë që po. Një gjë është e qartë, lojtarët e Zvicrës do të duken të freskët falë djaloshit nga Kriensi”, shkruan “20min.ch”.