Euro 2024

Xhiroja e parë: Fillime të furishme e gola të bukur

Euro 2024

Xhiroja e parë e ndeshjeve në grupe në Kampionatin Evropian të Futbollit është kompletuar. Agjencia AP ka veçuar gjërat më interesante.

Lojtarët më të mirë

Disa prej lojtarëve që janë paraqitur më së miri, po bëjnë kthim triumfal në futbollin ndërkombëtar.

Toni Kroosi kontrolloi fushën në fitoren 5:1 të Gjermanisë ndaj Skocisë. Ai ishte tërhequr më parë nga Gjermania por u kthye për Evropian. Do të tërhiqet plotësisht nga futbolli i luajtur pas “Euro 2024”.

N’Golo Kante nuk është parë në fanellën e Francës që nga qershori i vitit 2022. Një lëndim e la jashtë Kupës së Botës në Katar. Më pas u transferua në Arabi Saudite. Në fitoren 1:0 të Francës ndaj Austrisë, 33-vjeçari Kante ishte më i miri. Ai shfaqi sërish nivelin e lartë të energjisë dhe leximin e mahnitshëm të lojës.

Një lojtar përgjysmë më i ri se Kroosi e Kante ka pushtuar ballinat po ashtu. Me 16 vjet e 338 ditë, Lamine Yamal, u bë më i riu që u paraqit në një ndeshje të Evropianit. Asistoi në fitoren 3:0 të Spanjës ndaj Kroacisë.

Me 41 vjet, Pepe u bë lojtari më i vjetër që luan në Evropian. Me 39 vjet, Cristiano Ronaldo po paraqitet në Evropianin e gjashtë, që është rekord i jashtëzakonshëm.

Më së shumti është pritur nga Kylian Mbappe dhe sulmuesi francez tani do të mungojë në një apo më shumë ndeshje pasi theu hundën në ndeshjen ndaj Austrisë. Mbappe do të mbajë maskë pasi të kthehet në fushën e blertë.

Golashënuesit më të mirë

“Golashënuesi” më i mirë në Euro 2020, udhëheq sërish. Në Evropianin e kaluar u arrit rekord prej 11 autogolash. Në 12 ndeshjet e para në Gjermani tashmë janë shënuar tre autogola. Në portën e tyre shënuan Antonio Ruediger i Gjermanisë, Maximilian Woeber i Austrisë dhe Robin Hranac i Çekisë.

34 golat e deritashëm janë shënuar nga 34 lojtarë të ndryshëm. Disa ishin shumë të bukur si ai i Nicolae Stanciut të Rumanisë, Michel Aebischerit të Zvicrës e Arda Gulerit të Turqisë.

Golat po shënohen shumë herët. Deri në ndeshjen e 12, rezultati 0:0 nuk është parë pas 45 minutave. Nedim Bajrami i Shqipërisë ka vendosur rekord për golin më të shpejtë duke realizuar pas 23 sekondave ndaj Italisë.

Rezultatet shokuese

E treta në ranglistën botërore, Belgjika, ishte favorite e madhe ndaj Sllovakisë, që renditet e 48-ta në ranglistën e përgatitur nga FIFA. Por Sllovakia fitoi 1:0 dhe ky ishte rezultati më shokues deri më tani.
Por jo të gjithë e kanë vlerësuar të tillë. Belgjikës i ka shkuar gjenerata e artë dhe ka kohë që përballet me vështirësi.

Futbolli dhe politika

Lojtarët e Ukrainës kanë folur zëshëm për qytetet e tyre të pushtuara dhe të shkatërruara nga ushtria ruse. Tifozët nga Gjeorgjia kanë bërë thirrje fyese ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Lojtarët e Francës, duke përfshirë superyllin Mbappe, kanë kërkuar nga francezët që të votojnë dhe të mbajnë partitë e ekstremit të djathtë jashtë pushtetit në zgjedhjet që fillojnë më 30 qershor. 

Marek Hamsik, tani trajner, shpresonte që futbolli do të ndikonte në bashkimin e vendit, kryeministri i të cilit i mbijetoi një atentati.

UEFA hapi procedura disiplinore ndaj flamujve me përmbajtje fyese. Ndër të tjera u shfaqën edhe flamuj provokues të Serbisë mbi territorin e Kosovës.