Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut, që udhëhiqet nga Muhamed Sejdini, doli me një reagim zyrtar të enjten.
Reagimi ka të bëj me sjelljen e pamatur të sulmuesit të Shqipërisë, Mirlind Daku.
Pas ndeshjes me Kroacinë, të mërkurën, Daku mori autoparlantin dhe nisi një këngë fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve. Momenti u incizua dhe Daku tani rrezikon të dënohet nga UEFA.
“Shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe dënojmë thirrjet nacionaliste të futbollistit të Shqipërisë, Mirlind Daku, drejtuar kundër shtetit të Maqedonisë pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Evropian. Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli. Sporti, veçanërisht futbolli, është baza e një bashkëpunimi dhe respekti ndërmjet Kombësive të ndryshme. Retorika nacionaliste, megjithatë, i minon këto parime, duke nxitur ndarjen dhe armiqësinë midis tifozëve dhe shoqërive”, thuhet në reagimin e federatës së Maqedonisë së Veriut, të publikuar edhe në gjuhën shqipe.
Ndikimi i shqiptarëve në Federatën e Maqedonisë së Veriut është shumë i madh, por veprimi i Dakut duket që nuk ka mundur të kalohet pa reagim. Kjo federatë do t’i drejtohet UEFA-s për “sjelljen skandaloze” të Dakut.
“I bëjmë thirrje futbollistit shqiptar Mirlind Daku që të kërkojë falje publike për sjelljen e tij dhe për dëmin që ka shkaktuar. Gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë incident dhe të marrin masat e duhura disiplinore për të përforcuar standardet e sjelljes që priten nga të gjithë sportistët”, shkruan në komunikatë.