Gjeorgjia do të debutojë në turnetë e mëdhenj, kur përfaqësuesja e vendit nga Kaukazi jugor me 3,7 milionë banorë, të luajë ndaj Turqisë në kuadër të Grupit F të Euro 2024.
Ndeshja zhvillohet të martën prej orës 18:00 në Dortmund.
Përfaqësueset tjera në këtë grup janë Portugalia e Çekia, kështu që ndeshja e parë është rast i madh si për Turqinë ashtu edhe për Gjeorgjinë.
Gjeorgjia është debutantja e vetme në Euro 2024, ndonëse ka një lloj të kaluare në Kampionate Evropiane. Tre lojtarë të Gjeorgjisë ishin pjesë e ekipit të Bashkimit Sovjetik që e fitoi Evropianin e parë në vitin 1960.
Kualifikimi në Euro 2024 është festuar gjatë dhe në mënyra të shumta në Gjeorgji. Khvicha
Kvaratskhelia është ylli i madh i gjeorgjianëve. Ai luan me sukses për Napolin.
Turqia ishte vlerësuar më lartë në Evropianin e kaluar. Por kishte dështuar duke i humbur të tri ndeshjet dhe duke shënuar vetëm një gol. Këtë herë është folur më pak për Turqinë, ndonëse në kualifikime fitoi grupin ku ishte Kroacia.
Ish-sulmuesi i Italisë, Vincenzo Montella, është selektor i Turqisë. Willy Sagnol e udhëheq Gjeorgjinë.
“Është ndeshja jonë e parë, por ndeshja e parë edhe për Turqinë. Jam i sigurt se turqit janë nën presion më të madh se ne. Nëse flasim për pikat e forta të Turqisë mund të qëndrojmë gjatë këtu. Kanë shumë lojtarë të mirë dhe aftësi të larta teknike. Do të jetë sfidë e madhe për ne”, ka thënë Sagnol.
Ai ka thënë se pas kualifikimit disa prej lojtarëve të Gjeorgjisë ishin si në ëndërr. Sagnol ka shtuar se ëndrra duhet të përfundojë dhe të gjithë të jenë të fokusuar në ndeshje.
“Mund të them se lojtarët janë të disiplinuar dhe mentalisht të gatshëm”, ka shtuar Sagnol.
Kapiteni i Gjeorgjisë, Guram Kashia ka thënë se është e veçantë të bësh vendin krenar.
“Në vendin tonë ne jetojmë dhe marrim frymë me futbollin. Kam dëgjuar se një tifoz bëri 4000 kilometra me ‘scooter’ për t’i dëshiruar fat skuadrës. Kjo na bëri shumë të lumtur. Mendoj se e meritojmë të jemi këtu”, ka thënë Kashia.
Arda Guler, 19-vjeçari i Real Madridit, pritet të jetë kryesori te Turqia, për herë të parë në një ngjarje të madhe.
“Është nder të luajmë këtu në Gjermani. Shpresojmë se do të kemi shumë tifozë. Gjeorgjia është ekipi i vështirë për t’u vlerësuar dhe do të jetë shumë e motivuar. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Duhet të qëndrojmë të durueshëm dhe të organizuar deri në fund. Jemi këtu për një ëndërr. Duhet të realizojmë këtë ëndërr dhe të japim çdo gjë që kemi”, ka thënë selektori i Turqisë, Vincenzo Montella.