Euro 2024

Turqia mbështetet në përkrahjen e madhe, Holanda në përvojë

Holanda

Edhe pse nuk llogaritet çerekfinalja më e fortë, ndeshja mes Holandës dhe Turqisë mund të jetë shumë e mirë e shumë interesante. 

Holanda u kualifikua nga vendi i tretë në grupin e saj, ndërsa më pas në një të tetën e finales e eliminoi Rumaninë me fitore 3:0. 

Turqia ka qenë njëra prej përfaqësueseve që ka dhuruar emocione të veçanta në Gjermani. Vuajti shumë kur e mposhti Austrinë në një të tetën e finales, 2:1. 
Tani Holanda dhe Turqia do të përballen për të zënë një vend në gjysmëfinale. Ndeshja luhet të shtunën nga ora 21:00 në Berlin. Është çerekfinalja e fundit. 

Holanda në fazën grupore nuk shfaqi më të mirën. Humbi nga Austria dhe barazoi pa gola me Francën. Por, ekipi i drejtuar nga Ronald Koeman u kthye në momentin e duhur, në fazën nokaut. 

Në fitoren bindëse ndaj Rumanisë shkëlqeu Cody Gakpo dhe sulmuesi tjetër Donyell Malen.  

Turqia në këtë kampanjë mori goditje të rëndë që në ndeshjen e dytë të fazës grupore, kur pësoi thellë, 3:0, nga Portugalia. 

Turqit, megjithatë, avancuan tutje dhe tani synojnë gjysmëfinalen për herën e dytë në histori. 
“Nuk kam fjetur deri në 3 të mëngjesit. Kam folur me Ferdi Kadioglun, shokun e dhomës, deri në atë kohë. Kemi shfaqur futboll shumë të mirë në atë ndeshje. Shpresoj të vazhdojmë kështu”, ka thënë Orkan Kokçu të premten. 

Kokçu luajti në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2020 kur Holanda kishte fituar 6:1 ndaj Turqisë. 
Kokçu nuk do të luajë në këtë ballafaqim për shkak të suspendimit, por bashkëlojtari i tij, Okay Yokushlu, ka thënë se do të luajnë për të dhe gjithë të tjerët, për të avancuar tutje. 

Te Turqia është ylli i ri i Real Madridit, Arda Guler, i cili ka luajtur ndeshje goxha të mira, që u karakterizuan me qetësinë dhe aftësinë me topin. 

Edhe Holanda ka gjeneratë të talentuar, me Xavi Simonsin dhe Cody Gakpon në radhët e veta. 
Holanda dominoi ndaj Rumanisë edhe me posedim të topit dhe shpreson që me paraqitje tjetër të mirë, ta sigurojë një tjetër gjysmëfinale të Evropianit. 

Daley Blind ka eksperiencë të madhe si futbollist. 

Të martën kur e zëvendësoi Memphis Depayn, e pati paraqitjen e tij të parë në “Euro 2024”. 

Ai e ka respektuar Turqinë dhe ka thënë se ka pasur përkrahje të madhe edhe nga tifozët. Kjo gjë e frikëson atë. 

“Do të shohim tjetër përkrahje të madhe për Turqinë. Ne duhet të përgatitemi mirë dhe të jemi të gatshëm për çdo gjë. Ne duhet të jemi të qetë edhe në posedimin e topit. Do të mundohemi që t’i qetësojmë tifozët e tyre. Përkrahjen e tyre të madhe për Turqinë, do të mundohemi ta kthejmë në forcë për ne”, ka deklaruar Blind. 

Fituesi i ndeshjes ndërmjet Holandës dhe Turqisë do të luajë me fituesin e ndeshjes mes Anglisë dhe Zvicrës në gjysmëfinalen që zhvillohet në Dortmund.