Gjashtë vjet më parë pozita e Ilkay Guendogan në përfaqësuesen e Gjermanisë u vë në dyshim për shkak të një fotografie me presidentin e Turqisë. Tani ai është kapiten i Gjermanisë.
Kur Guendogani ta udhëheqë Gjermaninë ndaj Skocisë në ndeshjen hapëse të “Euro 2024”, të premten ai do të jetë kapiteni i parë me prejardhje turke në një ngjarje të madhe të Gjermanisë.
Për një pjesë të komunitetit të madh turko-gjerman, mesfushori i Barcelonës mishëron “identitetin hibrid” që po fiton terren edhe ndaj të djathtës ekstreme që është kundër emigracionit. Kështu thotë Caner Aver, studiues në Qendrën për Studiume Turke dhe Hulumtime të Integrimit në Essen të Gjermanisë.
Derisa Guendogan është dashur të zgjedhë se cilin shtet do ta përfaqësojë, tifozët mund të përfaqësojnë të dyja vendet. Pak ditë para turneut, Aver bleu një fanellë të Gjermanisë dhe një të Turqisë për djalin e tij gjashtëvjeçar. I preu fanellat në mes, i qepi gjysmat së bashku dhe bëri një fanellë të kombinuar.
“Mendoj se do të ketë shumë njerëz që do të përkrahin të dy përfaqësueset dhe që do të ishin të lumtur nëse ato përballën mes vete në gjysmëfinale apo finale”, ka thënë Aver për AP.
Njëri prej atyre që i përkrah Gjermaninë dhe Turqinë është Osman Eroglu, që është portier dhe anëtar i bordit në Turkgucu Ratingen, klub i komunitetit turk në periferi të Duesselforfit.
“Për ne, për njerëzit me të kaluar migruese që jemi gjenerata e tretë apo e katërt, është Evropian në vendin tonë po ashtu”, ka thënë Eroglu.
“Është gëzim i dyfishtë pasi Turqia paraqitet po ashtu. Kështu që janë dy ekipe që ne mund t’i përkrahim”.
Të tjerët pyesin nëse lojtarët nga grupet e pakicave mund të jenë në shënjestër të tifozëve gjermanë apo të mediave nëse ekipi dështon. Ka të tillë që e shohin zgjedhjen e Gjermanisë e jo Turqinë si akt tradhtie.
Guengodan sidomos ishte i shënjestruar nga disa tifozë të Turqisë në një miqësore ndaj Gjermanisë në Berlin, vitin e kaluar. Ai ishte sharë në ndeshjen që Turqia e fitoi 3:2.
Kur Guendogan dhe Mesu Oezil, një tjetër yll i Gjermanisë me prejardhje turke, pozuan me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në prag të Kupës së Botës 2018, dy lojtarët u përballën me kritika nga presidenti i atëhershëm i Federatës gjermane të futbollit, Reinhard Grindel. Ai tha se Erdogani nuk përfaqësonte mjaftueshëm vlerat e organizatës.
Pas asaj Kupe të Botës, Oezil ishte larguar nga ekipi i Gjermanisë, duke përmendur “një ndjenjë racizmi dhe mosrespekti”, pas komenteve antiturke nga politikanë të ekstremit të djathtë dhe tifozë. Oezili nuk luajti më kurrë për Gjermaninë.
Younis Kamil është akademik dhe trajner i futbollit me prejardhje sudaneze dhe gjermane. Ai punon në një organizatë të madhe të komunitetit turk. Është i përfshirë në një projekt për “Euro 2024” dhe pjesëmarrjen sportive të njerëzve me histori familjare të migrimit.
Ndonëse Guendogani është kapiten, Kamil thotë se ka pak njerëz me prejardhje turke ose prejardhje nga vende të tjera që mbajnë pozita trajneri apo pozita me autoritet në futbollin gjerman.
Përfaqësuesja e Turqisë i ka pesë lojtarë të lindur në Gjermani dhe llogarit në mbështetje të madhe gjatë Evropianit.
“Në Gjermani do të jemi si vend nikoqir”, ka thënë Ozan Kabak, mbrojtës i Turqisë. Ai është i lindur në Turqi, por luan në nivel klubesh në Gjermani.
“Shumë turq jetojnë këtu dhe mendoj se stadiumet do të jenë të mbushura me turq”, ka shtuar Kabak.
Tifozët e Turqisë ishin më të shumtë se ata të Gjermanisë në miqësoren e Berlinit, vitin e kaluar.
Turqia luan në Dortmund ndaj Gjeorgjisë dhe Portugalisë, përpara se të përballet me Çekinë në Hamburg. Në të dy qytetet ka shumë banorë me prejardhje turke.
Shumë prej turqve u vendosën në Gjermani si “punëtorë mysafirë” gjatë Luftës së Ftohtë. Bumi ekonomik i Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore bëri që të kishte mungesë të fuqisë punëtore. Dhe shumë njerëz nga Turqia gjetën punë dhe u vendosën në Gjermani.
“Uroj që tifozët të festojnë së bashku”, thotë Aver, studiuesi që bashkoi dy fanellat në një për djalin e tij.