Mbrojtësi i qendrës, Merih Demiral, ka shënuar dy gola për ta udhëhequr Turqinë drejt çerekfinales së Evropianit në Gjermani.

Të martën mbrëma në Leipzig, në ndeshjen e fundit të një të tetës së finales, Turqia fitoi 2:1 ndaj Austrisë.

Austria është vlerësuar favorite, por turqit nisën furishëm dhe më pas mbajtën epërsinë deri në fund.

Në sekondën e 57-të, Merih Demiral goditi nga zona për 1:0. Pas krosimit të Arda Gulerit, mbrojtja austriake nuk largoi topin si duhet dhe Demiral përfitoi nga dhurata. Goli i Demiralit është më i shpejti në histori të Evropianëve, sa i takon fazës nokaut. Rekordin për golin më të shpejtë e mban Nedim Bajrami, që realizoi pas 23 sekondave ndaj Italisë.

Goli në minutën e parë i dha zjarr sfidës. Ndeshja mes Austrisë dhe Turqisë vlerësohet prej më të mirave në Evropian, nëse jo më e mira.

Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë.

Në minutën e 59-të, superylli i ri i Turqisë, Guler, krosoi sërish nga këndi. Dhe 26-vjeçari Demiral u shkëput lart në zonë. Gjuajti bukur me kokë për epërsinë 2:0 të Turqisë.

Stadiumi në Leipzig, i mbushur kryesisht nga tifozët turq, shpërtheu në festë.

Austria u kthye në lojë në minutën e 66-të kur rezultatin në 2:1 e ngushtoi Michael Gregoritsch.

Gola të tjerë nuk kishte, por austriakët dhe turqit ofruan lojë shumë të fortë deri në fund. Rastet nuk kanë munguar në të dy anët.

Fare në fund, në minutën e 95-tw, portieri i Turqisë, Mert Gunok bëri pritje vendimtare. Ai u zgjat për të ndalur topin që e goditi Christoph Baumgartner.

Austria ka shkëlqyer në fazën grupore, por nuk e kaloi Turqinë në një të tetën e finales. Ndërkohë turqit kishin formë të lëkundshme në grup, por luftuan deri nw fund për kalim në çerekfinale.

Në çerekfinale, Turqia luan ndaj Holandës, të shtunën prej orës 21:00 në Berlin.

Më 26 mars në Vjenë, Austria kishte fituar 6:1 ndaj Turqisë. Por kahe plotësisht tjetër kishte ndeshja e së martës mbrëma. Dhe festa në ngjarjen e madhe është për turqit pasionantë.

Kush ishte më i miri i ndeshjes më të mirë?

9 muaj më parë / 2 kor 2024 23:10
Turqia

Photo: Associated Press

Portieri Mert Gunok bëri pritje vendimtare në minutën e 95-të. Por hero i fitores së Turqisë ndaj Austrisë ishte Merih Demiral.

Ai i shënoi dy golat dhe po ashtu u shqua me kontribut në vijën e fundit të mbrojtjes.

“Demiral ka bllokuar çdo gjë që duhej në mbrojtje dhe i shënoi të dy golat e fitores së Turqisë”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.

“Një prej pritjeve më të mira në histori të Evropianit”

9 muaj më parë / 2 kor 2024 23:08
Mert Gunok

Pritja e Mert Gunok pas gjuajtjes së Baumgartnerit të Austrisë, në minutën e 95-të të ndeshjes, po vlerësohet njëra prej më të mira në histori të Kampionateve Evropiane.

“Ajo pritje e Gunok është njëra prej më të mëdhave në histori të Evropianëve. Çfarë tregimi ka ofruar Turqia gjatë gjithë rrugës. Do të takohet me Holandës dhe na pret tjetër ndeshje e madhe”, ka shkruar Chris Sutton, ish-sulmues i Celticut e Chelseat.

Austria kthehet në lojë

9 muaj më parë / 2 kor 2024 22:27
g

Austria është kthyer në lojë në ndeshjen ndaj Turqisë.

Rezultatin në 2:1 e ka ngushtuar Michael Gregoritsch në minutën e 66-të.

Demiral sërish, Turqia udhëheq 2:0

9 muaj më parë / 2 kor 2024 22:18
Merih Demiral

Merih Demiral po udhëheq Turqinë drejt çerekfinales.

Ai shënoi për 2:0 në minutën e 59-të.

VIDEO:

Superndeshje, Turqia në epërsi pas pjesës së parë

9 muaj më parë / 2 kor 2024 21:47
Turqia

Photo: Associated Press

Austria e Turqia po e zhvillojnë njërën prej ndeshjeve më të mira në pjesën e deritashme të Evropianit.

Pas pjesës së parë Turqia udhëheq 1:0. Merih Demiral shënoi golin në sekondën e 57-të.

Goli i Demiralit më i shpejti në histori, por vetëm për fazën nokaut

9 muaj më parë / 2 kor 2024 21:16
Merih Demiral

Photo: Associated Press

Merih Demiral ka shënuar në sekondën e 57-të në ndeshjen mes Turqisë dhe Austrisë.

Është goli më i shpejtë në histori të kampionateve evropiane, por vetëm sa i takon fazës nokaut.

Rekordin për golin më të shpejtë në histori të Evropianëve e mban Nedim Bajrami. Ai realizoi për Shqipërinë në ndeshjen ndaj Italisë në sekondën e 23-të.

Demiral është i dyti në listë.

Fillim i furishëm i Turqisë

9 muaj më parë / 2 kor 2024 21:02
Demiral

Turqia e ka nisur furishëm ndeshjen ndaj Austrisë.

Merih Demiral shënoi për 1:0 që në minutën e parë.

VIDEO:

Formacionet: Austri - Turqi, ja vendimi për Gulerin

9 muaj më parë / 2 kor 2024 20:05
Arda Guler

Janë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen mes Austrisë dhe Turqisë në kuadër të një të tetë së finales të “Euro 2024”.

Mesfushori i Real Madridit Arda Guler ka startuar te Turqia.

Mesfushori Hakan Çalhanoglu do të jetë mungesë e madhe për Turqinë ndaj Austrisë, pasi është i suspenduar për shkak të kartonëve.

Austrisë do t'i prijë kapiteni Arnautoviq.