Trajneri rus i futbollit, Alexander Tarkhanov, ka dhënë opinionin e tij lidhur me thirrjet e Mirlind Dakut pas ndeshjes së Shqipërisë me Kroacinë.
Daku është sulmues i skuadrës ruse Rubin Kazan. Ai bëri fyerje ndaj serbëve dhe maqedonasve. UEFA e dënoi me dy ndeshje moslojë, ndërsa Rubin Kazani paralajmëroi dënimin e futbollistit po ashtu.
Por, Tarkhanov thotë se ndoshta Dakun duhet ta largojnë plotësisht nga Rusia.
“Mendoj se Daku do të dënohet seriozisht. Serbët janë vëllezërit tanë dhe miqtë tanë, ata nuk mund të ofendohen. Ai duhet të dënohet financiarisht dhe ndoshta të largohet nga ekipi dhe nga Rusia. Ai nuk ka thënë asgjë kundër Rusisë, por futbollistët nuk kanë të drejtë, të ndërhyjnë në politikë dhe të thonë gjëra të tilla. Le të shohim se çfarë vendimi do të marr Rubini”, ka thënë Tarkhanov për “Legalbet.ru”.
Tarkhanov ka drejtuar shumë skuadra në Rusi. 69-vjeçari ka karrierë të gjatë në futboll. Ndër të tjera ishte trajner i CSKA Moskës.
Mediat ruse kanë provuar të flasin me Dakun pas vendimit të UEFA-s. Por, Daku ka refuzuar të përgjigjet.
Ndërkohë ka folur babai i Mirlind Dakut, Fehmiu.
“Dënimi ka mundur të jetë me kusht, pasi Mirlindi ka kërkuar falje. Por, ne e respektojmë vendimin e UEFA-s. Do ta këshilloj djalin tim që asnjëherë mos të përsërit gabimin. Dua që ai të jetë shembull në fushë dhe jashtë saj”, ka thënë Fehmi Daku për sajtin rus “Sport24”.
Ish-kapiteni i Rubin Kazanit, Andrei Fedorov, ka thënë se dënimi nga UEFA do të jetë mësim për Dakun.
“Situata do të jetë mësim për të. Të shkosh në një turne kaq të madh dhe të diskualifikohesh. Dhe askush nuk i bëri asgjë atij”, ka thënë Fedorov.
Ish-arbitri rus i futbollit, Igor Fedotov ka thënë se dënimi prej dy ndeshjeve i Dakut është i vogël.
Një tjetër ish-lojtar i Rubin Kazanit, Alexander Prudnikov ka thënë se nëse Daku luan mirë dhe i shënon dhjetë gola, të gjithë do të harrojnë incidentin dhe do të mbajnë mend vetëm golat.
Drejtori gjeneral i Rubin Kazanit, Alexander Aibatov ka theksuar se raportet mes Dakut dhe lojtarëve serbë të skuadrës do të vazhdojnë të jenë të ngrohta. Te Rubin Kazani ka plot serbë.
“Mendoj se nuk do të ketë konflikte mes tyre. Raportet ishin dhe janë të ngrohta. Mendoj se edhe Daku është i brengosur për situatën. Por, mendoj po ashtu se nuk do të ketë konflikte. Ndoshta Daku nuk e ka kuptuar situatën dhe ka vepruar në emocione”, ka thënë Aibatov.
Mediat ruse vazhdojnë të shkruajnë shumë për rastin e Dakut. Ai është njëri prej tre futbollistëve të kampionatit rus që u paraqit në” Euro 2024”.
LEXO EDHE: