Euro 2024

Toni Kroos e mbyll karrierën me postim emocionues

Toni Kroos

Kjo ishte e tëra. Toni Kroos edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës si futbollist të dielën, dy ditë pas eliminimit nga Spanja në çerekfinalen dramatike të Kampionatit Evropian.

Zëvendësuesi Mikel Merino e shënoi golin e fitores në minutën e fundit të vazhdimeve dhe i dha fitoren Spanjës, 2:1.

Me këtë fitore, Spanja e eliminoi nikoqiren e turneut, ndërsa Kroosi e mbylli karrierën si futbollist aktiv.

“Kaq ishte”, ka shkruar Kroos në llogarinë e tij në Instagram të dielën. “Por para se të pushojë pak, të paktën do të mundohem të kujtoj çfarë ka ndodhur në 17 vjetët e fundit e të mos e humb mundësinë t’i falënderoj të gjithë që më kanë pranuar ashtu siç kam qenë dhe ashtu siç jam”.

Fituesi i Kupës së Botës falënderoi tifozët, klubet, trajnerët dhe bashkëlojtarët, si dhe shoqërinë dhe familjen, duke shtuar se “nuk ka gjë më të mirë sesa fëmijët të jenë krenarë me babanë e tyre”.

Kroosi ka fituar shumë tituj, më së shumti me Real Madridin, por edhe me Bayern Munichun – gjashtë Liga të Kampionëve, katër La Liga, tri Bundesliga, tri Kupa të Gjermanisë dhe një Kupë të Mbretit.

34-vjeçari Kroos njoftoi në muajin maj se do të pensionohet nga futbolli aktiv pas “Euro 2024”.

Kjo do të thotë se ndeshja e 114-të për Gjermaninë, ishte e fundit për të.

“E fundit, por jo për nga rëndësia: Faleminderit Futboll! Ti lojë e bukur. Kjo ishte e tëra”, ka thënë ndër të tjera Kroos në postimin e tij të gjatë e emocionues në Instagram.