Euro 2024

Thirrje të forta nga publiku për Shaqirin e Xhakën

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri

Derisa Xherdan Shaqiri dhe lojtarët tjerë të Zvicrës po bënin ngrohjen gjatë stërvitjes së parë në kampin bazë të Zvicrës në Suttgart, janë dëgjuar thirrje të forta nga publiku. Emrat Shaqiri dhe Xhaka janë dëgjuar herë pas here, ka shkruar “20 Minuten” të hënën. Shaqiri e Xhaka pritet të jenë lojtarët kyç te Zvicra në Evropianin “Gjermania 2024”.

Përfaqësuesja e Zvicrës të hënën pasdite mbërriti në Stuttgart. Stërvitja e parë e Zvicrës në kampin përgatitor u përcoll nga rreth 4000 shikues, raportojnë mediume të ndryshme të Zvicrës.

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin thotë se mbërritja në kampion bazë në Stuttgart, shënon fillimin e fazës finale të përgatitjes për “Euro 2024”. “Tani gjërat janë serioze. Tani bëhet fjalë për pikët dhe për ta bërë vendin krenar. Ne do të fillojmë stërvitjen dhe përgatitjen për kundërshtarin tonë të parë me shpejtësi të plotë”, ka thënë Yakin për televizionin shtetëror të Zvicrës, “SRF”. Zvicra është në grup me Hungarinë, Skocinë dhe nikoqiren Gjermaninë. Kundërshtari i parë i helvetikëve është Hungaria. Ndeshja Hungari – Zvicër luhet të shtunën në Koeln.