Euro 2024

Te Shqipëria synojnë fitore ndaj Spanjës për sukses historik

Rey Manaj

Pika e fituar të mërkurën ndaj Kroacisë u vlerësua e madhe nga përzgjedhësi i Shqipërisë, braziliani Sylvinho. 

Barazimin 2:2 ndaj kroatëve e vlerëson rezultat pozitiv edhe sulmuesi Rey Manaj. Me pikën e fituar, Shqipëria mbetet në garë për të kaluar grupin. I duhet fitorja ndaj Spanjës për të shpresuar në sukses historik. Pra, të kalojë për herë të parë në fazën nokaut të Evropianit.

Shqipëria pas ndeshjet u kthye në kampin e saj në Kamen, ndërsa sulmuesi Manaj të enjten u paraqit në konferencë për shtyp.

“Kur mbaroi ndeshja ishim të kënaqur edhe me barazimin, pasi shënuam në minutën e 95-të. Por kryesore për të gjithë ishte të fitonim. Por kur luan në këto nivele kaq të larta gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Manaj, duke shtuar se janë gati për të fituar pikë të plota duke luftuar fort në fushë me spanjollët.

Ndeshjen ndaj Spanjës, në kuadër të Grupit B, Shqipëria e luan të hënën nga ora 21:00 në stadiumin “Dusseldorf Arena”. 

“Është ekip shumë i madh. Ka lojtarë me kualitet dhe janë emra të mëdhenj. Ne duhet të bëjmë ndeshjen tonë, nuk duhet të shohim lojtarët e tjerë, të japim 100% nga minuta e parë deri në fund”, ka theksuar Manaj.

Ai startoi ndaj Kroacisë dhe kishte ndeshje të madhe. Goditi bukur me kokë në fund të pjesës së parë, por portieri i Kroacisë intervenoi me sukses. Gjatë gjithë ndeshjes Manaj ka zhvilluar shumë duele me mbrojtësit kroatë. Dhe shumicën prej tyre i ka fituar.

“Ndaj Spanjës duhet të futemi akoma më fort në fushë se ndaj Kroacisë. Pasi në ndeshjen me Kroacinë luajtëm mirë në pjesën e parë dhe në fraksionin e dytë patëm një rënie. Duhet të jemi të përqendruar në ndeshjen me Spanjën që është një nga ekipet më të mira në botë. Duhet të japim 100% që nga minuta e parë deri në të 95-të”, është shprehur Manaj.

Ai ka theksuar se të gjithë në kampin kuqezi janë të kënaqur me ecurinë e ekipit.

“Ekipi është shumë i motivuar, të gjithë lojtarët që do të luajnë në ndeshjen e fundit do të jenë të përqendruar 100%, sepse e pamë që mund të futet një lojtar në minutë të 85-të, të ndryshojë ndeshjen dhe të bëjë gol. Emocionet janë të mëdha, sepse është Kampionat Evropian. Këto ndeshje i ndjek e gjithë Shqipëria dhe bota. Gjëja më e rëndësishme është që të futemi në fushë të përqendruar, sepse mund të arrijmë fitoren kundër Spanjës dhe të kalojmë grupin”, ka thënë Manaj.

Sulmuesi 27-vjeçar thotë se pak ka rëndësi kush shënon golat. E rëndësishme për të është kalimi i grupit. Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në Evropian. Evropianin e vitit 2016 e mbylli me një fitore dhe dy humbje.