Danimarka ka barazuar në tri ndeshje në grup në “Euro 2024”. Tani do të përballet me nikoqiren, Gjermaninë, në një të tetën e finales. Dhe nëse ndeshja e së shtunës sërish përfundon me barazim, danezët do të jenë plotësisht gati për gjuajtjet nga pika e bardhë.
Danimarka barazoi 1:1 me Slloveninë fillimisht. Luajti 1:1 edhe me Anglinë, ndërsa me Serbinë barazoi pa gola. Tri barazimet i mjaftuan për kualifikim dhe madje për vendin e dytë në Grupin C.
Ndeshja Gjermani – Danimarkë zhvillohet të shtunën prej orës 21:00 në Dortmund. Është ndeshja e dytë e një të tetës së finales.
Ekipi i Kasper Hjulmand ka përgatitur gjuajtjet e penalltive për muaj të tërë, që të ishte i gatshëm për atë që mund të jetë shumë e nevojshme në Evropian.
Sulmuesi Jonas Wind ka thënë se tashmë e di se ku do ta dërgojë topin nga pika e bardhë, nëse ndeshja shkon në penallti dhe ai përzgjidhet për të gjuajtur.
“Dallon nga lojtari në lojtar, por për mua është më mirë të marr vendimin më herët. Ka të tjerë që preferojnë të vendosin në momentin e fundit”, ka thënë Wind, që luan për Wolfsburgun në Gjermani.
“Unë nuk i shfrytëzoj statistikat e portierëve për të vendosur ku do të gjuaj. Ka mundësi të marrim statistikat, por unë nuk i shfrytëzoj ato. Fokusohem më shumë në gjuajtjen time”, ka shtuar danezi.
Për muaj të tërë, përzgjedhësi Hjulmand ka kërkuar nga lojtarët që ta përgatisin veten për atë që mund të jetë momenti me presionin më të madh në karrierë. Vështirë se mund të ketë më shumë presion se të gjuash penallti ndaj nikoqirit, në një turne të madh.
“Mund të provohet të simulohet presioni me një element garues. Por nuk do të jetë kurrë presioni që do të duhet ta përballojmë të shtunën mbrëma në stadiumin e stërmbushur në Dortmund”, ka theksuar Wind.
“Ju mund të ndjeni se zemra rrah një herë më shumë para se të gjuani penallti. Mendoj se të gjithë ndiejnë presion shtesë, kështu që ka të bëjë me përballimin e tij në mënyrën më të mirë, në gjetjen e qetësisë dhe dërgimin e topit në rrjetë”, ka shtuar futbollisti danez.
Fitorja e Danimarkës nuk do ta linte në hije suksesin e vitit 1992, kur si autsajdere e plotë u shpall kampione. Por sigurisht do t’i afrohej atij suksesi. Nëse e mposht Gjermaninë, në çerekfinale Danimarka do të takohej me Spanjën apo Gjeorgjinë.