Kombëtarja e Shqipërisë në futboll po i vazhdon përgatitjet për “Euro 2024”. Kuqezinjtë aktualisht janë të grumbulluar në Austri, ndërsa të hënën e kanë njërën prej dy ndeshjeve përgatitore para “Gjermania 2024”.
Në Szombathely të Hungarisë, Shqipëria luan miqësore ndaj Lihtenshtajnit. Ndeshja fillon në ora 20:00.
Përzgjedhësi Sylvinho nën urdhra i ka të gjithë lojtarët, pos kapitenit Berat Gjimshiti që të dielën e ka ndeshjen e fundit me Atalantan. Gjimshiti pritet të jetë në grumbullim prej të hënës.
Sylvinho të dielën foli në konferencë për shtyp dhe u shpreh i kënaqur me atmosferën.
“Atmosfera është shumë e mirë. Donim që grumbullimin ta nisim në Tiranë, me qëllim edhe për të ndier pak atmosferën dhe entuziazmin e madh që kanë njerëzit. Nisja për Austri ishte shumë e bukur. Këtu kemi ambient të mirë për të punuar, që të përgatitemi për Evropian. Po përgatitemi sa më mirë për finalet, për “Euro 2024”. Kam parë te skuadra motivimin e duhur”, ka thënë Sylvinho.
Tekniku brazilian ka thënë se në aspektin fizik lojtarët qëndrojnë mirë dhe do të jenë të gatshëm për ta përballuar nivelin e lartë të Evropianit. Sa u takon miqësoreve me Lihtenshtajnin dhe Azerbajxhanin, Sylvinho ka thënë që ideja është që të luajnë lojtarët që janë aktivizuar më pak. Dhe, po ashtu, të rikuperohen ata që kanë luajtur më shumë me klubet e tyre.
Përzgjedhësi Sylvinho ka thënë se nuk ka kohë të merret me debatet lidhur me listën e lojtarëve. Ai ka treguar se ekipi startues për Evropian nuk do të zgjidhet në bazë të asaj që lojtarët tregojnë në miqësoren e të hënës mbrëma.
Në konferencë për shtyp foli edhe mesfushori Klaus Gjasula. Edhe ai ka theksuar se atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë.
“Kampionati Evropian është gjithmonë i veçantë. Mezi presim dhe ditët po kalojnë. Në seancat stërvitore po përgatitemi shumë mirë që të jemi gati në momentin e duhur”, ka thënë Gjasula.
Miqësorja Shqipëri – Azerbajxhan është më 7 qershor, po ashtu në Hungari. Më pas kuqezinjtë nisen për në Gjermani. Ndeshjen e parë në “Euro 2024” e kanë ndaj Italisë më 15 qershor në Dortmund.