Sulmuesi i grupmoshës U19 të Kosovës, që luan me të rinjtë e Stuttgartit, Eliot Bujupi, ëndërron që një ditë të jetë pjesë e një ngjarjeje të madhe.
Bujupi këtë javë e pati rastin që të luajë me yje të ngjarjeve madhore të futbollit.
U përball me Xherdan Shaqirin e Ardon Jasharin në ndeshjen stërvitore që Përfaqësuesja e Zvicrës e luajti me të rinjtë e Stuttgartit.
Bujupi është 17-vjeçar. Të rinjtë e Stuttgartit pësuan 3:0 nga Zvicra, por Bujupi thotë se mori lëvdata nga Shaqiri e Xhaka.
Bujupi vlerëson se ka luajtur mirë ndaj yjeve të Zvicrës. Pas ndeshjes ka pasur rastin të flasë me dy yjet e mëdhenj.
“Ishte diçka e veçantë. Ishte shumë e mirë sepse kjo nuk ndodh në kushte normale. Nuk kemi luajtur keq. Kemi humbur 3:0 por kemi luajtur mirë. Pata rastin të flas me Shaqirin dhe Xhakën. Më pyetën se për cilën Kombëtare luajë dhe ju tregova se përfaqësoj Kosovën. Më thanë vetëm vazhdo kështu sepse ishe lojtar shumë i mirë”, ka treguar Bujupi për KOHËN.
U luajtën dy pjesë nga 30 minuta. Bujupi luajti në pjesën e parë dhe pati mundësinë për të shënuar.
“I pyeta se a mund të bëjmë fotografi pas ndeshjes dhe pranuan. U ndava shumë i kënaqur për të gjitha. Për ne ishte shumë e mirë sepse luajtëm grupmosha U19 kundër përfaqësueses seniore të Zvicrës. Ishte lojë fantastike. Luajtëm mirë dhe pata mundësi të shënojë por nuk ia arrita. Shpresoj që shpejtë të dalë edhe te Kosova A dhe të kemi shumë suksese së bashku”, thotë Bujupi.