Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve për Kampionatin Evropian që mbahet në Gjermani këtë verë. Pjesë e listës së Sylvinhos janë, ndër të tjera, edhe pesë lojtarë që kanë të kaluar në futbollin e Kosovës. Bëhet fjalë për portierin Etrit Berisha, pastaj mbrojtësin Ardian Ismajli, mesfushorin Ylber Ramadani dhe sulmuesit Mirlind Daku dhe Arbër Hoxha.
Portieri Berisha para se të bënte karrierë në ligat e mëdha evropiane luajti për 2 Korrikun e Prishtinës. Nga 2 Korriku u largua në vitin 2008. Te 2 Korriku luajti edhe mbrojtësi Ismajli. Ismajli luajti edhe te Prishtina. Nga 2 Korriku u largua në vitin 2016. Në Kosovë, përkatësisht, Ferizaj, Prishtinë dhe Dritë u paraqit edhe mesfushori Ramadani. Nga Drita, Ramadani u largua në vitin 2016. Për klube kosovare luajti edhe Arbër Hoxha.
Ai u paraqit për Istogun, Prishtinën, Besën dhe së fundit nga viti 2019 deri në vitin 2021 për skuadrën e Ballkanit. Për Ballkanin së fundi luajti edhe Daku. Ai u huazua nga Osijeku, ndërsa nga Ballkani u largua si golashënuesi më i mirë i ligës në vitin 2021. Më herët Daku ka luajtur edhe për Hajvalinë dhe Llapin.