Euro 2024

Startues apo jo, Shaqiri do të jetë i rëndësishëm te Zvicra

Xherdan Shaqiri

(Blick) – Një gjë nuk ka ndryshuar: Kur Xherdan Shaqiri del në fushë, fusha i takon atij. Që nga debutimi për Zvicrën, mbi 14 vjet më parë, saktësisht më 3 mars 2010, ai ka fituar zemrat e të gjithëve. U dëshmua edhe një herë të shtunën e kaluar në St. Gallen. Asnjëherë nuk ishte aq i zhurmshëm stadiumi sa kur Shaqiri hyri në lojë në “Kybunpark” kundër Austrisë. Ndeshja përfundoi 1:1.

Shaqiri u paraqit 23 minuta me fanellën e Zvicrës që do të përdoret në ndeshjet e Kampionatit Evropian. Kjo për shkak se ai ishte nga fillimi deri në fund të ndeshjes kundër Estonisë katër ditë më parë.

“Te Xherdani duhet të kemi kujdes. Ai nuk mund të luajë 90 minutat dy herë brenda katër ditësh”, thotë Murat Yakin.

Megjithatë, në Kampionatin Evropian, Zvicra i luan tri ndeshje brenda nëntë ditëve.

Nuk do të kishte asnjë dyshim që 32-vjeçari të përfshihej në skuadrën e Evropianit. Është e rëndësishme ta shikojmë me maturi. Ndoshta çdo zviceran tjetër, me 745 minuta dhe dy gola të realizuar nga penalltitë dhe një asistim, nuk do të ishte në skuadrën me 26 lojtarë.

Por Shaqiri nuk është futbollist i zakontë. Shaqiri është lojtari i dytë pas Cristiano Ronaldos që ka realizuar në pesë turne madhorë me përfaqësuesen.

Zvicrës i duhen gjithashtu momente brilante të Shaqirit si goli me goditje “biçikletë” në Evropianin e vitit 2016 kundër Polonisë ose golat në ndeshjen e fundit të grupeve në Evropianin 2021 kundër Turqisë. Pra, duhet të shfrytëzohet këmba e majtë e shkëlqyer?

Statistikat e Shaqirit si zëvendësues duhet të përmirësohen. Në 15 paraqitet e tij si zëvendësues ai shënoi vetëm dy gola. Pjesa tjetër e gjithsej 63 pikëve në ekipin përfaqësues u fituan nga Shaqiri si lojtar titullar.

Për legjendën e Zvicrës, Alex Frei, është e gjitha një çështje komunikimi. Golashënuesi rekordmen i Zvicrës thotë se aftësitë e Shaqirit janë të padiskutueshme.

“Por aftësia e tij fizike të bën skeptik. A mjafton kjo për një paraqitje në Evropian? Për shkak të karrierës së tij në Përfaqësuese, Shaqiri meriton ti thuhet se do të luash 40, 50 apo 60 minuta. Por shikoni në turne, lëreni të stërvitet dhe më pas bisedoni me të pas lojës së dytë në grup”.

Të tri ndeshjet në grup me Shaqirin në formacion – duket e pamundur. Nëse Shaqiri luan nga fillimi ndaj Skocisë, ka nevojë edhe për besimin e bashkëlojtarëve, thotë Frei.

“As unë nuk kam qenë lojtari më aktiv, por me golat që realizoja krijoja bonus te lojtarët. Ata bënë një sy qorr ndonjëherë. Beni Huggel u çmend gjatë stërvitjes me Baselin kur unë dhashë 50 për qind. Përgjigjja ime ishte ‘sot është stërvitje, nesër është ndeshja’”.

Përderisa performanca në fushë është e mirë, pranohet një rol i veçantë. Por, Frei vazhdoi.

“Në fund të karrierës sime në Përfaqësuese, të shënoja gola nuk ishte më aq e lehtë për mua. Pastaj ndjeva zëra se nuk  po vrapoja sa duhet”, ka thënë Frei.

Markus Babbel flet ngjashëm si Frei. Eksperti i futbollit në “Blick”  e krahason Shaqirin me Thomas Muellerin e Gjermanisë.

“Të dy janë lojtarë shumë meritorë. Por ata nuk u përfshinë në ekip se janë djem të mirë, por sepse trajnerët besojnë se mund të bëjnë ndryshimin në aspektin sportiv. Pasi të jetë diskutuar roli, pres që Mueller dhe Shaqiri ta përjetojnë Evropianin. Që ata të marrin për dorë të rinjtë dhe t’ua bëjnë të qartë se çfarë do të thotë të luash për vendin e tyre në një kampionat evropian. Në këtë mënyrë mund të bëheni një lloj dore e zgjatur e trajnerit”, ka thënë Babbel.

Shaqiri vetëm “xhoker” i përfaqësueses? Ka shumë indikacione për këtë. Po ashtu tregues janë edhe fjalët e Pierluigi Tamit pasi Zvicra mbërriti në kampin përgatitor në Stuttgart. Drejtori Tami u pyet për rolin e Shaqirit te Zvicra.

“Këtu janë 26 lojtarë. Dhe kushdo që nuk luan nga fillimi do të jetë i pakënaqur. Por tani të gjithë duhet ta pranojnë rolin e tyre. Jemi në një Kampionat Evropian. Interesi individual nuk ka vend”, ka thënë Tami.

Paralajmërimi për Shaqirin vështirë se mund të ishte më i qartë.