Kampionati Evropian i futbollit ka të bëjë i tëri me stadiume të njohura dhe të testuar me histori të pasur.
Ndryshe nga disa prej edicioneve të fundit të Kupës së Botës, për ‘’Euro 2024’’ nuk ka pasur nguti për të përfunduar stadiumet me kohë. Nëntë prej dhjetë stadiumeve, kanë qenë arena të ndeshjeve edhe për Kupën e Botës 2006 dhe në asnjërin nuk janë bërë ndryshime të mëdha.
Më poshtë paraqesim të dhëna për dhjetë stadiumet e “Euro 2024”.
“Olympiastadion” – Berlin
Kapaciteti i këtij stadiumi për “Euro 2024”, është 71 mijë ulëse. Në këtë stadium luhet finalja më 14 korrik, por edhe ndeshje si Spanja – Kroacia, Polonia – Austria, Holanda – Austria, një ndeshje e 1/8 së finales dhe një çerekfinale.
I ndërtuar për Lojërat Olimpike 1936, “Olympiastadion” është rinovuar për të zhvilluar ndeshje të Kupës së Botës 2006. Po ashtu priti finalen e Championsit në vitin 2015.
Në këtë stadium luhet çdo vit finalja e Kupës së Gjermanisë, ndërsa si vendase luan Hertha Berlini.
Munich Football Arena
Kapaciteti për ‘’Euro 2024’’, është 66 mijë ulëse. Në këtë stadium luhet ndeshja e parë e ‘’Euro 2024’’, mes Gjermanisë dhe Skocisë, të premten. Luhen edhe disa ndeshje të fazës grupore, një ndeshje e 1/8 së finales dhe një gjysmëfinale.
Më shumë i njohur si “Allianz Arena” për ndeshjet e Bayenit, stadiumi është hapur në vitin 2005 dhe është ndarë nga Bayerni dhe Munich 1860. Por Munich 1860 hoqi dorë nga pjesa e tij për shkak të problemeve financiare.
BVB Stadion Dortmund
Për Evropian ka kapacitet prej 63 mijë ulëseve. Në Dortmund zhvillohet ndeshja Itali – Shqipëri, të shtunën. Janë edhe tri ndeshje të grupeve, një ndeshje e 1/8 së finales dhe një gjysmëfinale.
Tifozët e Borussia Dortmundit e quajnë “Westfalenstadion”. Stadiumi quhet edhe Signal Iduna Park sipas një marrëveshjeje të gjatë sponsorizimi, që nuk vlenë për Evropian.
Dortmundi, që humbi në finale të Championsit, është i famshëm për “Murin e Verdhë” të cilin e formojnë tifozët e zjarrtë në pjesën pa ulëse. Por stadiumi do të jetë me ulëse për ‘’Euro 2024’’ dhe ky ndryshim ulë kapacitetin e tij. Mbi 81 mijë shikues është kapaciteti i stadiumit kur luan Dortmundi.
Dortmundi e vlerëson krenari që ka njërin prej stadiumeve më të mëdha dhe më të zhurmshëm në Evropë. Bëhet fjalë për një qytet industrial në regjionin e Ruhrit në Gjermaninë perëndimore.
Stuttgart Arena
Ka kapacitet prej 51 mijë ulëseve për Evropian. Pos katër ndeshjeve në grupe, në Stuttgart zhvillohet edhe një çerekfinale.
Emri historik i këtij objekti është “Neckarstadion”, sipas lumit që kalon nëpër Stuttgart. Me atë emër e priti finale e Kupës Evropiane të vitit 1988. Prej atëherë ka pasur emra të ndryshëm, në bazë të marrëveshjeve të sponsorizimit.
Volksparkstadion – Hamburg
Për ‘’Euro 2024’’ e ka kapacitetin prej 49 mijë ulëseve. Kroaci – Shqipëri luhet në këtë stadium më 19 qershor. Janë edhe tri ndeshje tjera të fazës grupore dhe një çerekfinale.
Stadiumi është i ndërtuar në një park të madh. U hap gati një shekull më parë, në vitin 1925. U rindërtua plotësisht në vitet 1950-ta, e po asht prej vitit 1998 deri në vitin 2000.
Hamburgu luan në këtë stadium, ndërsa edicionin e fundit ishte në Bundesliga 2. Luajti si nikoqir edhe ekipi ukrainas Shakhtar Donetsk, në Champions.
Duesseldorf Arena
Me kapacitet për Evropian prej 47 mijë ulëse, stadiumi në Duesseldorf do të jetë arenë e ndeshjes Shqipëri – Spanjë, më 24 qershor. Do të organizohen në këtë arenë edhe dy ndeshje tjera të fazës grupore e po ashtu një ndeshje e 1/8 së finales dhe një çerekfinale.
Është stadiumi i vetëm që nuk ishte shfrytëzuar për Botërorin 2006.
Koeln Stadion
Me kapacitet prej 43 mijë ulëseve, ky stadium i pret pesë ndeshje, katër prej tyre të fazës grupore. Historikisht ishte i njohur si Muengersdorfer Stadion, në bazë të pjesës së Koelnit ku ndodhet objekti. Tifozët lokalë janë të njohur për mbështetjen plot pasion për Koelnin, që nuk mbijetoi në Bundesligë.
Frankfurt Arena
Zvicra – Gjermania është njëra prej ndeshjeve që zhvillohet në këtë stadium me kapacitet për Evropian prej 47 mijë ulëseve.
Shtëpi e Eintracht Frankfurtit, që fitoi Ligën e Evropës në vitin 2022, tifozët e klubit ende e njohin stadiumin me emrin tradicional “Waldstadion”, ndonëse momentalisht e ka emrin “Deutche Bank Park” për shkak të sponsorizimit.
Në atë vend ka ekzistuar stadium që nga viti 1925, ndërsa e priti ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 1974.
Leipzig Stadion
Portugali – Çekia, Holanda – Franca dhe Kroacia – Italia janë tri ndeshjet e fazës grupore që zhvillohen në stadiumin që për Evropian ka kapacitet prej 40 mijë ulëseve. Zhvillohet po ashtu një ndeshje e një të tetës së finales.
I vetmi stadium i ‘’Euro 2024’’ që është në Gjermaninë Lindore të dikurshme. Ky stadium është ndërtuar për Kupën e Botës 2006, në vend të Zentralstadion.
Ai ishte stadiumi më i madh në Gjermaninë Lindore me mbi 100 mijë vende. I formuar nga gjiganti i pijeve, Red Bull, klubi i sapoformuar i Leipzigut mori përsipër stadiumin në vitin 2010 dhe e quan atë Red Bull Arena për ndeshje të klubeve.
Arena Aufschalke – Gelsenkirchen
Spanjë – Itali do të jetë superderbi që do të zhvillohet në stadiumin e Schalkes në Gelsenkirchen, më 20 qershor. Stadiumi për Evropian ka kapacitetin prej 50 mijë ulëseve.
Nuk ka pasur shumë për të festuar në këtë stadium në vitet e fundit. Schalke nuk është stabilizuar në Bundesligë, duke rënë dy herë brenda tre vjetësh. Në edicionin e fundit mezi mbeti në Bundesliga 2. Ka telashe të mëdha financiare.