Euro 2024

Spanja në gjysmëfinale, fiton dramën me Gjermaninë

Merino

Dani Olmo hyri si zëvendësues. Por ai shënoi gol dhe asistoi për ta dërguar Spanjën në gjysmëfinale të Euro 2024.

Të premten mbrëma në Stuttgart, Spanja fitoi 2:1 ndaj Gjermanisë.

Ndeshja u vendos në dy vazhdimet nga 15 minuta. Në minutën e 119-të, Olmo krosoi bukur ndërsa Mikel Merino u shkëput lart në zonë dhe goditi saktë për golin e kualifikimit. Manuel Neuer ishte i paforcë.

Gjermania tentoi më pas, por nuk kishte shumë kohë për të ndryshuar rezultatin. Niclas Fuellkrug gjuajti fare pranë portës në minutën e 123-të. 

Dhe spanjollët mund të bëhen gati për ndeshjen gjysmëfinale të Evropianit në Gjermani.

Ndeshja kishte rrjedhë dramatike, ndërsa ishte goxha e ashpër po ashtu.

Në minutën e tetë Pedri la fushën për shkak të një lëndimi. Për të është raportuar se ka përfunduar Evropiani.

Në vend të Pedrit u aktivizua Dani Olmo. Ai në minutën e 51-të shënoi për 1:0. Goditi bukur e saktë, pas asistimit mjeshtëror të 16-vjeçarit Lamine Yamal. Yamali është i vetmi lojtar me tri asistime në Euro 2024.

Pas epërsisë 1:0 të Spanjës, Gjermania u hodh me të gjitha forcat në sulm. Goditi shtyllën me Fuellkrugun, ndërsa në minutën e 89-të edhe shënoi golin e barazimit. Florian Wirtz realizoi me goditje nga zona për festën e madhe të gjermanëve.

Me rezultatin 1:1 përfundoi koha e rregullt. Dhe çerekfinalja e parë shkoi në vazhdime. Dukej që ndeshja do të vendosej me penallti, por krosimi i Olmos dhe goli i Merinos dërguan Spanjën në gjysmëfinalen e 9 korrikut.

Ndeshja Spanjë – Gjermani është vlerësuar finale e hershme e Evropianit. Dhe ishte e tillë, bazuar në atë që u shfaq në fushën e blertë. 

Kjo ndeshje ishte e fundit në karrierën e mahnitshme të Toni Kroosit, mesfushorit të Gjermanisë. Ai ka njoftuar që do të pensionohet me ndeshjen e fundit të Gjermanisë në Evropian.

Lexo përditësimet tjera
Merino

Spanja në gjysmëfinale, fiton dramën me Gjermaninë