Trajnerët Gani Sejdiu dhe Erdin Hashani komentuan ndeshjen Spanjë-Gjeorgji, që të dielën mbrëma përfundoi 4:1 për spanjollët.
Sejdiu ka deklaruar se spanjollët treguan mbizotërim në fushë, e sipas tij, ata janë favoritët kryesorë për titullin në “Euro 2024”.
“Spanja është e vetmja kombëtare që ka përfunduar në katër ndeshje në nivelin më të lartë. Edhe përkundër avantazhit 1:0, ka vazhduar me të njëjtin sulm e agresivitet. Normal, humbja e Gjeorgjisë, pavarësisht rezultat, golat e fundit që hynë erdhën në pjesën ku ekipet rezistojnë mirë, por pastaj bien. Gjeorgjia deri më tani ka bërë rrugëtim të mirë, e këtë e ka arritur me meritë”, ka deklaruar Sejdiu në "Sporti Total" në KTV.
E edhe trajneri Erdin Hashani ka theksuar se Spanja është favoritja në këtë kampion evropian, por sipas tij, gjeorgjianët treguan guxim.
“Gjeorgjia nuk kishte frikë, dëshironte të shënon golin e dytë. Prodhoi lojë që të mos mbyllje. Strategjia e herëpashershme ishte me kundërsulme”, ka shtuar ai.
Për Hashanin, mesfushori spanjoll, Rodri, është futbollist kryesor.
“Ky mesfushor është bërë lojtari kyç pasi nga ai po fillojnë të gjitha rastet...Por, nuk kemi parë që Spanja po shënon jashtë 16-metërshit. Në këto raste është vështirë të gjesh hapësirë e të gjuash”, ka shtuar Hashani.