Dy prej përfaqësueseve më të mëdha evropiane, Spanja dhe Franca, takohen të martën mbrëma në gjysmëfinale të “Gjermania 2024”.
Ndeshja zhvillohet prej orës 21:00 në Munih dhe vë përballë njërën prej përfaqësueseve më efikase të Evropianit me njërën prej përfaqësueseve që ka shënuar më së paku. Lojtarët e Francës e kanë vetëm një gol të shënuar, dhe atë nga penalltia. Superylli i Francës, Kylian Mbappe, ka pasur telashe për të gjetur rrugën drejt portës, ndër të tjera edhe për shkak të maskës me të cilën po detyrohet të luajë. Goli i tij i vetëm deri më tani është nga pika e bardhë.
Fituesi i ndeshjes Spanjë – Francë takohet me fituesin e ndeshjes Angli – Holandë, të dielën në finalen në Berlin. Anglia e Holanda luajnë në gjysmëfinale të mërkurën.
Spanja e Franca ndeshjet çerekfinale i kaluan me shumë vështirësi. Mikel Merino shënoi gol në minutën e fundit të vazhdimeve për fitoren 2:1 të Spanjës ndaj nikoqires, Gjermanisë. Ndërkohë Francës i janë dashur penalltitë për ta kaluar Portugalinë. Ndeshja përfundoi pa gola.
Derisa Spanja i ka 11 gola, Franca i ka shënuar vetëm tre. Pos golit të Mbappes janë edhe dy autogola të lojtarëve kundërshtarë.
Mbappe, që do të përballet me shumë bashkëlojtarë të Real Madridit, do të luajë sërish me maskë, pasi theu hundën në ndeshjen hapëse të Francës ndaj Austrisë.
Spanja, që po e kërkon titullin e katërt evropian, që do të ishte rekord, ka pasur bilanc të përkryer në Gjermani. Është e vetmja përfaqësuese që i ka fituar të gjitha ndeshjet në grup. Franca ndërkohë barazoi me Poloninë dhe Holandën, pas fitores së vështirë ndaj Austrisë.
Spanja ka paguar çmimin për fitoren dramatike ndaj Gjermanisë. Disa lojtarë të rëndësishëm i mungojnë në gjysmëfinale, e ndonjë edhe në finale nëse arrin atje, për shkak të lëndimeve e suspendimeve.
Për Pedrin, Evropiani ka përfunduar pas lëndimit që e pësoi gjatë një ndërhyrjeje nga Toni Kroos në fillim të ndeshjes çerekfinale. Ai sërish do të zëvendësohet nga Dani Olmo, që kishte shkëlqyer ndaj Gjermanisë, duke u shpallur më i miri. Olmo kishte shënuar gol dhe kishte asistuar për Merinon.
Të suspenduar janë Dani Carvajal dhe Robin Le Normand.
Franca nuk ka telashe me lëndime. Marcus Thuram u kthye në stërvitje të dielën dhe ka hequr brengat nëse do të jetë në gjysmëfinale, pas një lëndimi të pësuar në fund të ndeshjes me Portugalinë.
Franca e Spanja kanë pranuar vetëm tre gola gjithsej. Mike Maignan nxori topin nga rrjeta, sa i takon lojës, vetëm në ndeshjen ndaj Polonisë në fazën grupore. Spanja pësoi nga një gol në ndeshjet ndaj Gjeorgjisë dhe Gjermanisë.
Dy përfaqësueset e mëdha janë takuar 36 herë. Spanja i ka 16 fitore, ndërsa Franca 13. Franca i ka fituar pesë prej tetë ndeshjeve të fundit. Spanja për herë të gjashtë paraqitet në gjysmëfinale. Vetëm një herë ka dështuar të avancojë në finale. Kishte humbur në penallti nga Italia në Evropianin e kaluar.
Franca në gjysmëfinale ka luajtur pesë herë, ndërsa ka fituar tri prej tyre. Francezët janë kualifikuar në finale të tre prej katër turneve të fundit madhorë. Humbën 1:0 nga Portugalia në EURO 2016 dhe në penallti nga Argjentina në Kupën e Botës 2022. Ndërkohë e mposhtën Kroacinë për titullin e dytë të botës në vitin 2018.