Trajneri Tahir Batatina ka deklaruar se po ta çonte lojën në vazhdime, Anglia do të kishte më tepër gjasa ndaj Spanjës. Ai ka deklaruar se Anglia ishte më e përgatitur fizikisht, por sipas tij, edhe kombëtarja spanjolle pati paraqitje të jashtëzakonshme. Sipas Batatinës, Spanja ishte kombëtarja e frikshme gjatë tërë kampionatit.
“Spanja ka qenë kombëtare e frikshme me futbollistë me eksperiencë dhe me talentë. E një kombëtare si Anglia po të shkonte në vazhdime do të kishte më shumë fuqi, pasi ka qenë më e përgatitur fizikisht. Futbolli anglez është më fizik, por Spanja e ka merituar”, është shprehur ai të dielën në “Sporti Total” në KTV.
Ndërsa, trajneri Gani Sejdiu është shprehur se Spanja prej fillimit ka qenë e fortë ndaj kombëtareve të tjera.
Ai foli edhe për artin në futboll.
“Triumfoi arti sepse futboll modern po bazohet në fizikë e në shkencë. Tash po e redukton pjesën e bukurisë dhe kreativitetin brenda fushës. Disiplina e lartë e fizika e ka reduktuar këtë. Kjo Spanja e ka vu tezën e futbollit të bukur”, ka shtuar ai.
E trajneri Erdin Hashani ka theksuar se Spanja që nga fillimi ishte e përcaktuar për fitore. Sipas tij, kombëtarja spanjolle tregoi lojë të mirë, duke shtuar se Anglia gaboi në disa momente vendimtare.