Euro 2024

Sllovenia shkëlqen edhe në sporte të tjera, jo vetëm në futboll

Sllovenia - Euro 2024

Rrallëherë në historinë e gjatë të Kampionatit Evropian ka festuar një ekip pa fitore.

Portieri Jan Oblak dhe sllovenët që u paraqitën në fushë festuan barazimin pa gola kundër Anglisë sikur ta fitonin titullin.

“Jam vërtet krenar për ekipin. Jam i sigurt se ky është vetëm fillimi i një epoke të bukur për futbollin slloven”, tha trajneri Matjazh Kek, pasi Sllovenia arriti për herë të parë në fazën eliminatore të një evropiani.

1:1 kundër Danimarkës, 1:1 kundër Serbisë dhe 0:0 kundër Anlisë. Me një zemër të madhe dhe disiplinë të fuqishme mbrojtëse, Sllovenia kaloi në një të tetën e finales pa asnjë fitore. Por edhe pa humbje.

“Ne e merituam kualifikimin”, ka shtuar selektori Kek. Atij “nuk i intereson aspak” kundërshtari i parë në rundin nokaut.

Vetëm për shkak të një kartoni më shumë, sllovenët përfunduan pas danezëve, të cilët kishin të njëjtin numër pikësh dhe golash dhe tani do të përballen me nikoqiren, Gjermaninë, të shtunën në Dortmund.

Për vendin e vogël me dy milionë banorë, Slloveninë, mund të jetë verë e madhe sportive.

Superylli i basketbollit Luka Donçiq arriti në finalen e NBA-së me Dallas Mavericks dhe tani pritet të udhëheqë ekipin përfaqësues në Olimpiadën e Parisit.

Çiklisti profesionist Tadej Pogaçar ka fituar garën “Giro d’Italia” këtë vit dhe konsiderohet favoriti kryesor për garën e famshme “Tour de France”, që fillon këtë të shtunë. Hedhësi i diskut, Kristjan Çeh, së fundmi fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të atletikës në Romë.

Dhe për përfaqësuesen e futbollit, të udhëhequr nga sulmuesi premtues Benjamin Sheshko, rruga në Evropian nuk ka pse të ketë përfunduar, shkruan sajti zviceran SRF.

“Ne jemi shpërblyer për punën tonë në vitet e fundit”, tha mesfushori Adam Gnezda Çerin, i cili u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Anglisë.