Sllovenia ka pësuar gol në minutën e 95-të për të humbur dy pikë të vlefshme.
Të enjten pasdite në Munih, Sllovenia barazoi 1:1 me Serbinë.
Në minutën e pestë shtesë, Serbia kishte një goditje nga këndi. Në mes të shumë lojtarëve sllovenë, topin me kokë e goditi Luka Joviq. Goditja e tij ishte e saktë dhe kështu rezultati u barazua.
Për Slloveninë ishte barazimi i dytë rresht, ndërsa për Serbinë pika e parë.
Në xhiron e parë Sllovenia luajti 1:1 me Danimarkën, ndërsa Serbia pësoi 1:0 nga Anglia.
Në bazë të asaj që u shfaq në fushën e lojës, fitorja është dashur t’i takojë Sllovenisë. Sllovenët kanë shfaqur dukshëm më tepër dhe kishin raste më të rrezikshme. Në minutën e 69-të, Sllovenia realizoi kundërsulm shembullor. Aksionin e nisi mbrojtësi i krahut të djathtë, Zhan Karniqnik. Topi i fundit erdhi pikërisht tek ai dhe 29-vjeçari realizoi për 1:0 dhe për festën e madhe të sllovenëve në stadium.
Sllovenët u mbrojtën me sukses më pas, por vetëm deri në minutën e 95-të.
Më 25 qershor, Sllovenia luan ndaj Anglisë, ndërsa Serbia takohet me Danimarkën.
Ka pasur hedhje të shumta të gjësendeve në fushën e lojës gjatë ndeshjes në Munih nga tifozët e Serbisë. Para saj ka pasur thirrje anti-Kosovë e thirrje anti-shqiptare. Ndërkohë në stadium janë shfaqur sërish flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Në zhveshtoren e Serbisë janë lëshuar këngë anti-Kosovë.
Sërish do të ketë punë për UEFA-n që tashmë ia ka ndarë një gjobë të majme Serbisë.
