Skocia do të ballafaqohet me Hungarinë të dielën në Stuttgart, në ndeshjen e fundit të Grupit A.
Të dyja skuadrat shpresojnë që të mos jetë ndeshja e fundit e këtij turneu të Evropianit.
Skocia është e treta në grup me një pikë.
Humbi thellë 5:1 nga Gjermani, ndërsa barazoi 1:1 me Zvicrën.
Hungaria është e fundit pas humbjeve 3:1 nga Zvicra dhe 2:0 nga Gjermania.
Ndeshja Skocia – Hungaria luhet të dielën nga ora 21:00.
Skocia shpreson që ta arrijë për herën e parë fazën nokaut të ndonjë turneu madhor.
Nëse dëshiron që të përfundojë në vendin e dytë në grup, duhet ta mposht Hungarinë dhe të shpresojë që Zvicra të humb me rezultat të thellë nga Gjermania. Goldallimi është gjëja e dytë që vjen në shprehje, pas ndeshjeve të ndërsjella.
Të dyja skuadrat kanë shansin që të kalojnë në 1/8 e finales si njëra nga skuadrat më të mira të vendeve të treta.
Hungaria duhet të fitojë për ta mbajtur gjallë shpresën, ndërsa Skocia do t’ia arrinte një suksesi të tillë, edhe nëse e shmang disfatën.
Skocia nuk ka fituar ndeshje në Kampionatin Evropian qëkur e kishte mposhtur Zvicrën në vitin 1996.
Këto dy përfaqësuese luajnë për herën e parë në ndeshje garuese.
Kieran Tierney e ka mbyllur Evropianin pasi mbrojtësi skocez u lëndua të mërkurën në barazimin me Zvicrën, kurse mbrojtësi tjetër, Ryan Porteous, nuk do të luajë pasi është i suspenduar.
Te Hungaria nuk ka ndonjë të lënduar.
Në miqësore, Skocia e Hungaria janë takuar nëntë herë. Hungaria ka katër fitore, ndërsa Skocia ka fituar tri herë.
Hungarezët kanë kaluar në fazën nokaut në ngjarje madhore, në tri raste.
Skocezët synojnë që të shkruajnë historinë. Kështu kanë thënë para ndeshjes mbrojtësi Jack Hendry dhe mesfushori Kenny McLean. Fitore synon edhe mesfushori i Hungarisë, Adam Nagy.