Kombëtarja e Shqipërisë e ka mbyllur stërvitjen e fundit në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë dhe ka udhëtuar drejt Austrisë për t’i vazhduar përgatitjet për Evropian.
Federata Shqiptare e Futbollit ka shkruar të premten se futbollistët fillimisht kanë punuar në palestër, e më pas kanë kryer disa ushtrime, për ta mbyllur seancën stërvitore me ndeshje testuese.
Edhe të premten të pranishëm ishin 25 futbollistë, ndërsa me grupin janë stërvitur futbollistët e U21 të Shqipërisë, Rejan Alivoda dhe Erald Maksuti.
Portieri Elhan Kastrati për shkak të gripit, ka pushuar.
Shqipëria në Austri do të qëndrojë deri më 8 qershor.
Para ndeshjeve të Evropianit me Italinë, Kroacinë e Spanjën, Shqipëria do të luajë në miqësore kundër Lihtenshtajnit më 3 qershor, dhe kundër Azerbajxhanit më 7 qershor.
Të dyja këto ballafaqime do të luhen në Hungari.