Shqipëria nuk ia doli të kualifikohet në një të tetën e finales të Kampionatit Evropian. Por kuqezinjtë mund të largohen me kokën lartë nga Gjermania.
Shqipëria ishte në “grupin e vdekjes” dhe përkundër kësaj ishte deri në fund në garë për kalim në fazën nokaut. Megjithatë të hënën mbrëma në Duesseldorf, Shqipëria u mposht nga Spanja, njëra prej pretendenteve kryesore për ta fituar Evropianin.
Spanja luajti me ekipin e dytë, ndërsa fitoi 1:0. Ferran Torres e shënoi golin e vetëm në ndeshje në minutën e 13-të.
Pjesa e parë ishte shumë e vështirë për të përzgjedhurit e Sylvinhos. Spanjollët kanë dominuar plotësisht dhe kanë rreshtuar rastet. Në minutën e 13-të realizuan një aksion model, që përfundoi me golin e bukur të Torresit, pas asistimit të Dani Olmos.
Sinjalin e vetëm Shqipëria e dha në fund. Kristjan Asllani gjuajti bukur, por portieri i Spanjës ndërhyri me sukses.
Pjesa e dytë ishte dukshëm më e mirë për Shqipërinë, sidomos pas aktivizimit të Armando Brojës, Arbër Hoxhës e Medon Berishës.
Armando Broja rrezikoi seriozisht në mesin e pjesës së dytë, ndërsa me dy goditje provoi edhe Asllani, njëra prej tyre goxha e rrezikshme. Arbër Hoxha i kishte disa shpërthime në krah, ndërsa në fund të rast të mirë sërish kishte Broja. Por David Raya sërish nuk u mposht.
Dhe kështu fitorja u takoi spanjollëve, që fitojnë Grupin B me nëntë pikë. Spanja fitoi 3:0 ndaj Kroacisë e më pas 1:0 ndaj Italisë. Tutje avancoi edhe Italia me katër pikë, falë barazimit shumë dramatik ndaj Kroacisë të hënën mbrëma. Kroacia përfundon e treta me dy pikë. Shqipëria në grupin më të fortë të Evropianit e përfundoi garën me një pikë.
Përkundër eliminimit, paraqitja e Shqipërisë ishte tregim suksesi. Tifozët shqiptarë ishin në numër shumë të madh, plot 50 mijë në ndeshjen ndaj Italisë e rreth 40 mijë ndaj Spanjës. Loja e Shqipërisë është vlerësuar po ashtu. Dhe nga përvoja në Gjermani kuqezinjtë do të përfitojnë shumë për të ardhmen.
Broja: Kam dëshiruar të luaj më shumë
Armando Broja u shpreh pas ndeshjes me Spanjën se ka dashur të luante më shumë minuta, por sipas tij, Shqipëria në tri ndeshjet "ishte shumë afër".
Ai ka deklaruar se Shqipëria nuk pati ndeshje në Euro 2024 "ku u shkatërrua".
"Mund të mbajmë kokën lartë. Kemi bërë turne shumë të bukur. Kemi luajtur me tri skuadra që janë në nivel shumë të lartë. Në të tri ndeshjet ishim shumë afër. Nuk kishte ndonjë ndeshje ku na kanë shkatërruar. Të gjithë mund të jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë dhe që kemi arritur. Evropiani vjen çdo katër vjet. Të gjithë duan të luajnë. Edhe unë do të dëshiroja të luaja më shumë. Por trajnerit i takojnë vendimet dhe duhet respektuar atë që thotë trajneri. Në ndeshjen e parë kam mundur të luaj më mirë. Kam pasur dëshirë edhe në ndeshjen e dytë të hyja. Edhe sonte do të dëshiroja të filloja. Por janë vendimet e trajnerit dhe duhet respektuar. Gjithmonë tifozët më qëndruan prapa. Kur thirrën emrin tim jam ndier shumë mirë. Kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët që më kanë ndihmuar shumë, që më japin besim. Edhe kur jam lënduar kam pasur shumë mesazhe. I falënderoj shumë të gjithë shqiptarët", ka thënë ai.
De la Fuente: Kishim telashe në pjesën e dytë, Shqipëria nuk është rivale e lehtë
Selektori i Spanjës, Luis de la Fuente është shprehur i lumtur për fitoren ndaj Shqipërisë dhe triumfin në grupin më të vështirë.
“Plani i lojës shkoi ashtu si kemi menduar. Kemi pasur shumë energji. Gjërat ishin shumë më të vështira pas pushimit, dhe kemi pasur vështirësi. Ka hapësirë për përmirësim, por kemi një gjeneratë të shkëlqyer që duan të përmirësohen”, ka thënë De la Fuente.
“Ishte top-paraqitje nga të gjithë të përfshirët. E kemi ditur plotësisht që Shqipëria nuk është rivale e lehtë. Ka luajtur për mbetje në Evropian”.
Sylvinho: Dalim me kokën lart
Ai ka thënë pas ndeshjes me Spanjën se kombëtarja ka luftuar deri në fund në çdo ndeshje.
“Dalim me kokën lartë. Ishim në grupin e vdekjes me kampion të botëts, kampion të Evropës, kampion të Ligës së Kombeve. Jam i trishtuar me rezultatin, por jo me ecurinë. Kemi luftuar në çdo ndeshje. Gjithmonë kemi luftuar deri në fund, në çdo ndeshje. Jam i kënaqur me lojtarët. Kemi parë gjashtë apo shtatë lojtarë të rinj në fushë, por edhe lojtarët me përvojë që janë paraqitur shumë mirë. Të gjithë mendonin se do të mposhteshim 3:0 apo 4:0. Por ne ishim aty dhe kemi luftuar. Nuk kishte rezultate të tilla. I falënderoj të gjithë, kemi bërë punë shumë të mirë. Kemi Ligën e Kombeve e më pas kualifikimet për Kampionat Botëror. Duam të provojmë emocione të Botërorit e pse jo sërish të Evropianit”, është shprehur ai.
Kush ishte më i miri i ndeshjes Shqipëri – Spanjë
Ferran Torres është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Torres e realizoi golin e fitores për Spanjën.
“Ai ishte i rrezikshëm duke ofruar lidhje mes linjave kur Spanja kishte topin. Ka punuar shumë edhe kur Spanja nuk e kishte topin. Një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Spanjës në sulm dhe shënues i golit të fitores”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.
Berat Gjimshiti krenar me kuqezinjtë
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, tha se është krenar me skuadrën dhe me tifozët, duke u shprehur se në Euro 2024 treguan ndeshje të mira.
Sipas tij, grupi ishte i vështirë, por ky evropian do t'iu ndihmojë futbollistëve.
“Jam i lumtur për gjithë ekipin, për performancën në fushë. Ndeshja e parë kishte shumë emocione. Me Kroacinë kemi merituar fitore dhe sonte një barazim ishte në lojë. I falënderoj tifozët që na kanë përkrahur kaq shumë. Sonte 80 për qind ishin shqiptarë. Na kanë mbështetur kudo që ishim dhe i falënderojmë. Gjëja më e rëndësishme është të shikojmë përpara. Grupi ishte më i vështiri. Por kemi treguar ndeshje të mira. Kemi bërë disa gabime, por kjo përvojë do të ndikojë që të rritemi. Shumica për herë të parë luajtëm në Evropian. Ky Evropian do t’u ndihmojë lojtarëve”, është shprehur Gjimshiti.
Shqipëria kishte më shumë goditje të sakta se Spanja
Duket e pabesueshme, por Shqipëria kishte më shumë se Spanja goditje në kornizë të portës. Shqipëria e përfundoi ndeshjen me katër goditje të sakta, por pa gol të shënuar. Spanja i kishte vetëm tri goditje në kornizë të portës dhe realizoi një gol.
Kjo nuk i ka ndodhur Spanjës që kur u përball me Italinë në Euro 2016.
Vlerësime shumë pozitive për Shqipërinë
“Shqipëria ka shfaqur shumë dëshirë e përkushtim. Lojtarët e saj ishin entuziastë. Do të doja ta shihja të avancojë nga grupi fenomenal, ku përfshihet edhe Spanja shumë e mirë”, ka shkruar Ellen White, sulmuesja angleze që fitoi Evropianin 2022.
“Edhe në minutën e fundit Shqipëria ka dashur të shënojë gol për tifozët e saj. Brilante”, është komenti i Ashley Williams, që udhëhoqi si kapiten Uellsin në gjysmëfinale të Euro 2016.
Debuton Berisha, aktivizohet edhe Hoxha
Medon Berisha ka debutuar në Evropian. Ai hyri në lojë në minutën e 70-të në vend të Qazim Laçit. U aktivizua edhe Arbër Hoxha në vend të Nedim Bajramit.
Te Spanja kanë hyrë Lamine Yamal e Alvaro Morata.
Dy raste për Shqipërinë
Shqipëria po mundohet të reagojë.
Broja e Asllani provuan në mesin e pjesës së dytë.
Broja në fushë, a mund të kthehet Shqipëria?
Tifozët shqiptarë në stadium kanë kërkuar disa herë aktivizimin e Armando Brojës. Sylvinho ia ka dhënë rastin sulmuesit prej minutës së 59-të. Broja hyri në vend të Rey Manajt.
Spanja në epërsi, Shqipëria jep sinjale vetëm në fund
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Shqipërisë e Spanjës. Spanja po udhëheq 1:0, ndërsa ka dominuar plotësisht në fushë. Ferran Torres shënoi në minutën e 13-të pas një aksioni model të spanjollëve.
Shqipëria vetëm në fund dha sinjalin e parë. Një goditje të bukur të Kristjan Asllanit e ndali David Raya.
Kuota e Shqipërisë për fitore rritet në 60-të
Lëvizja e kuotës në kompanitë e basteve për fitoren e Shqipërisë sa shkon e rritet.
Kur kanë mbetur edhe pak minuta para fundit të pjesës së parë në mes të Shqipërisë dhe Spanjës, kuota për fitore e Shqipërisë është 60-të, kurse për Spanjën, 1.10.
Dominim i plotë i Spanjës
Spanja po dominon plotësisht në fushë ndaj Shqipërisë. Spanjollët e kanë topin në 57 për qind të kohës. Kanë krijuar shtatë raste shënimi dhe udhëheqin 1:0.
Shqipëria nuk ka rrezikuar ende portën spanjolle.
Spanja në epërsi
Spanja ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Shqipërisë.
Në minutën e 13-të realizoi Ferran Torres pas një aksioni model të spanjollëve.
Dhjetë minutat e parë, ende pa raste të mira
Janë luajtur dhjetë minutat e parë të ndeshjes Shqipëri – Spanjë.
Ende nuk ka pasur ndonjë rast të mirë për gol.
Atmosfera në Duesseldorf është madhështore. Përkrahja për Shqipërinë e madhe.
Fishkëllehet himni i Spanjës
Në ora 21:00 fillon ndeshja Shqipëri – Spanjë.
Tashmë po intonohen himnet kombëtare. Ka pasur shumë fishkëllima të shumta gjatë intonimit të himnit të Spanjës.
Cana: Duhet zemër shqiptari, s’kemi asgjë të humbim
Legjenda e kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka thënë se Shqipëria s’ka asgjë për të humbur ndaj Spanjës, duke i motivuar futbollistët “që të kënaqen në fushë”.
Ai ka thënë para ndeshjes se rreth 40.000 shqiptarë janë në stadium ku do të luhet ndeshja, e sipas tij, kjo i tregon vlerat shqiptare.
“35 mijë deri 40 mijë shqiptarë janë në stadium. Kjo tregon se çfarë vlerash përfaqësojmë ne si shqiptarë. Jemi në garë dhe kjo është meritë e djemve. Nuk kemi asgjë për të humbur. Duhet të shijojnë secilin moment dhe të ofrojnë më të mirën. Të gjithë lojtarët e Spanjës kanë nivel shumë të lartë. Duhet zemër shqiptari nga të gjithë ne. Lojtarët duhet të kënaqen për veti. Duke u kënaqur për vete na kënaqin edhe neve”, ka thënë Cana.
Kuqezinjtë dominojnë në Duesseldorf
Stadiumi në Duesseldorf tashmë është gati i mbushur për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Tifozët e Shqipërisë janë më të shumtë në stadium. Kishte fishkëllima kur lojtarët e Spanjës dolën në fushë.
Shqipëria sulmon me Manajn, Balliu në vend të Hysajt
Është publikuar formacioni i Shqipërisë për ndeshjen ndaj Spanjës.

Ivan Balliu paraqitet në vend të Elseid Hysajt, ndërsa ndryshime të tjera nuk ka. Rey Manaj është në krye të sulmit.
Ashtu si pritej, Spanja me ekipin e dytë
Ashtu si pritej Spanja paraqitet me shumë rezervistë në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Luis de la Fuente tashmë ka publikuar formacionin që përbëhet nga:
David Raya; Navas, Laporte, Vivian, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Ferran, Joselu, Oyarzabal.
Spanja ka fituar dy ndeshjet e para dhe tashmë është në një të tetën e finales.
Shqipëria gati për ndeshjen më të rëndësishme në evropian
Kombëtarja e Shqipërisë sonte e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme në Evropianin që po mbahet në Gjermani. Ndeshja Shqipëri – Spanjë luhet nga ora 21:00 në Duesseldorf. Shqipërisë i duhet fitorja për avancim në fazën nokaut të Evropianit. Te Shqipëria janë shprehur gati për ndeshjen vendimtare. Synimi i Shqipërisë është fitorja përballë Spanjës që ka siguruar avancimin në një të tetën e finales.
Shqipëria nisi paraqitjen në Evropian me humbje 2:1 nga Italia, kurse e kërkoi barazimin deri në fund. Më pas barazoi 2:2 me Kroacinë.
Sylvinho ka thënë të dielën se Shqipëria e kërkon fitoren dhe kështu edhe avancimin në një të tetën e finales.
Edhe kapiteni Berat Gjimshiti ka vlerësuar nivelin e Spanjës, ndërsa ka thënë se të gjithë janë gati.
Shqipëria llogarit edhe në përkrahjen e madhe nga tribunat. Dhjetëra mijëra tifozë shqiptarë ishin në ndeshjet ndaj Italisë e Kroacisë. Dhjetëra mijëra pritet të jenë edhe në tribunat e stadiumit në Duesseldorf.
Por Shqipëria nuk mund të llogaritë në sulmuesin e Rubin Kazanit, Mirlind Daku. Daku u dënua të dielën nga Komisioni i Etikës, Disiplinës i UEFA-s.
Pas ndeshjes me Kroacinë, Daku mori altoparlantin dhe iu afrua tribunës ku ishin tifozët shqiptarë.
Është dëgjuar duke nisur fyerje ndaj serbëve dhe maqedonasve.
Në rast të kalimit tutje, Daku do t’i mungojë edhe në ndeshjen e një të tetës së finales.
Çdo gjë gati për ndeshjen Shqipëri - Spanjë
UEFA ka njoftuar se gjithçka është gati për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Ndeshjen e fundit këto dy kombëtare do ta zhvillojnë në Düsseldorf Arena.
Dusseldorf ready for 🇦🇱🆚🇪🇸#EURO2024 | #ALBESP pic.twitter.com/V8VPR0uAo9