Cristiano Ronaldo duhet ta konsiderojë veten me fat që nuk është lënduar pasi katër tifozë u futën në fushë për të bërë fotografi me të, ka thënë selektori portugez Roberto Martinez.
Shqetësime për sigurinë e superyllit u shfaqën pas asaj që ndodhi në pjesën e dytë në ndeshjen e fituar 3:0 nga Portugalia ndaj Turqisë, të shtunën.
Ronaldo është dukur i lumtur derisa ka bërë “selfie” me një tifoz të ri që shmangu pjesëtarët e sigurisë dhe hyri në fushë në minutën e 69-të. Por ai ishte qartë i zemëruar kur dy tifozë të tjera tentuan të njëjtën gjë në minutat e fundit të ndeshjes. Më pas një person tjetër, që mbante veshur fanellën e Portugalisë, iu afrua 39-vjeçarit pak pasi përfundoi ndeshja.
Dy të tjerë kanë tentuar t’iu afrohen Ronaldos derisa ai po largohej nga fusha, por janë ndalur nga pjesëtarët e sigurimit.
“Është shqetësuese”, tha Martinez. “Sot ishim me fat që qëllimet e tifozëve ishin të mira. Të gjithë i duam tifozët që njohin yjet e mëdhenj. Të gjithë pajtohemi me këtë. Por duhet ta kuptoni që ishte moment shumë, shumë i vështirë. Nëse qëllimet janë të gabuara, lojtarët janë të ekspozuar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm me këtë. Nuk mendoj se kjo duhet të ndodhë në fushën e lojës”, ka shtuar selektori portugez.
Sipas Martinezit është e rëndësishme që te tifozët të dërgohet mesazhi që kjo sjellje nuk është e lejuar.
“Nuk është mënyra e duhur, nuk arrini asgjë me këtë. Dhe ajo që bëni është që ndoshta masat forcohen për të ardhmen. Nuk është mirë t’i kemi lojtarët aq të ekspozuar kur njerëzit vrapojnë në fushë”, thotë Martinez.
Bashkëlojtari i Ronaldos, Bernardo Silva, tha se nuk ishte vërtetë i shqetësuar për tifozët që hyjnë në fushë.
“Është pak e bezdisshme që ndeshja duhet të ndalet pasi një tifoz ka hyrë në fushë. Ky është çmimi që paguhet kur je shumë i njohur në botën e futbollit. Por unë personalisht nuk ndihem i rrezikuar në aspektin e sigurisë”, ka thënë Silva.