Euro 2024

Shpallet formacioni më i mirë i Euro 2024

Spanja

Foto: Associated Press

Konfederata Evropiane e Futbollit e ka shpallur të martën formacionin më të mirë të Evropianit “Gjermania 2024”.

Evropianin e fitoi Spanja, që në finale e mposhti 2:1 Anglinë. Në formacionin më të mirë ka lojtarë nga Spanja, Anglia, Franca, Gjermania dhe Zvicra.

Mike Maignan i Francës është vlerësuar portieri më i mirë.

Mbrojtja më e mirë përbëhet nga Kyle Walker i Anglisë, William Saliba i Francës, Manuel Akanji i Zvicrës dhe Marc Cucurella i Spanjës. Pra paneli i ekspertëve të UEFA-s ka vendosur për formacion me katër mbrojtës.

Janë përfshirë edhe tre mesfushorë dhe të gjithë janë të Spanjës. Rodri, Dani Olmo dhe Fabian Ruiz janë në formacionin më të mirë të Euro 2024. Në fakt të gjithë këta kanë shkëlqyer dhe e kanë udhëhequr Spanjën drejt trofeut të katërt evropian.

Rodri është shpallur lojtari më i mirë i Kampionatit Evropian.

Ndërkohë lojtari më i mirë i ri i Evropianit ishte Lamine Yamal. Ai po ashtu është në formacionin më të mirë të Euro 2024, por si pjesë e sulmit. Yamali, që sapo i mbushi 17 vjet, ka luajtur në krah dhe ka shkëlqyer. Në krahun tjetër te Spanja ishte Nico Williams. Edhe Williamsi ka zënë vend në formacionin më të mirë të Euro 2024. Jamal Musiala i Gjermanisë është sulmuesi i tretë në përbërjen më të mirë.

“UEFA kishte vëzhguesit teknikë në secilën ndeshje në Gjermani. Ata kanë analizuar zhvillimet nga perspektiva e trajnerit dhe kanë përzgjedhur lojtarin më të mirë të secilës ndeshje. Ekipi i turneut është në formacion të njohur, që pasqyron tendencat taktike gjatë gjithë turneut, me një lojtar të jashtëzakonshëm të zgjedhur në çdo pozicion. Paraqitja individuale e lojtarit dhe ndikimi në ekip merren parasysh nga vëzhguesit teknikë kur marrin vendimin e tyre”, ka njoftuar UEFA.

Fabio Capello, Ioan Lupescu, Michael O’Neill, David Moyes, Rafael Benitez, Frank de Boer, Ole Gunnar Solskjaer, Aitor Karanka janë në mesin e ekspertëve të angazhuar nga UEFA.