Euro 2024

Shndërrimi në hero të Anglisë nuk e ka shokuar Watkinsin

Ollie Watkins

Ollie Watkins tha se kurrë nuk e ka humbur besimin se mund të ishte vendimtar në tentimin e Anglisë për lavdi në Euro 2024. “Tre Luanët” po vazhdojnë të përgatiten për finalen e së dielës ndaj Spanjës. Dhe tani Watkins është prej lojtarëve më të famshëm në kampin anglez.

Ai kishte luajtur vetëm 20 minuta në pesë ndeshjet e para në Gjermani, përpara se të aktivizohej si zëvendësues dhe të vendoste gjysmëfinalen ndaj Holandës me gol të minutës së 91-të.  Goli i vetëm i mëparshëm i sulmuesit të Aston Villas në ndeshje  garuese të Anglisë ishte ndaj San Marinos, tri vjet më parë.

“Ishte një ndjenjë e pabesueshme, të jem i sinqertë”, ka thënë Watkins për gazetarët, të premten. Ai foli për goditjen vendimtare në ndeshjen ndaj Holandës, të mërkurën.

“E kam ditur se kur do të dal në fushë do të shënoj. E kam treguar këtë. Kam punuar shumë fort për të arritur në atë pikë, kështu që ishte ndjenjë mahnitëse por nuk jam i shokuar”.

Në Euro 2024 ai ishte aktivizuar vetëm në barazimin 1:1 me Danimarkën në fazën grupore. Ai është dashur të ketë durim për të fituar rastin, ndonëse Anglia kishte telashe në sulm.

Përfaqësuesja e drejtuar nga Gareth Southgate ka fituar vetëm dy prej gjashtë ndeshjeve në Euro 2024, nëse llogariten vetëm 90 minutat. I janë dashur gola të vonshëm dhe rikthim në rezultat në ndeshjet e fazës nokaut ndaj Sllovakisë, Zvicrës dhe Holandës.

Megjithatë Watkins shpreson se Anglia do të jetë në formën më të mirë të dielën, në përballje me Spanjën që ka dominuar në të gjitha ndeshjet e deritashme.

“Qartë se në fazën grupore nuk kemi luajtur futbollin më të mirë. Nuk duhet shumë dituri për ta kuptuar këtë. Të gjithë e kanë ditur, edhe në kampin tonë. Por nuk kemi humbur ndeshjet, kështu që ishim të pamposhtur. Kjo ishte gjëja kryesore. Gradualisht kemi nisur të luajmë më mirë, kemi kontrolluar ndeshjet. Edhe kur kemi mbetur prapa në rezultat nuk jemi hutuar. Jemi kthyer dhe kemi shfaqur unitet. Kemi shfaqur përkushtimin, qasjen si ekip dhe kemi qëndruar të bashkuar”, ka shtuar sulmuesi anglez.

Kualifikimi i Spanjës në finale ishte edhe më impresiv. Është finalja e parë për spanjollët që kur gjenerata e artë e tyre fitoi tre turne rresht nga viti 2008 deri në vitin 2012. Për më tepër, Spanja ishte në anën e vështirë të shortit.

Djelmoshat e Luis de la Fuentes kanë mposhtur Kroacinë, Italinë, Gjermaninë dhe Francën në rrugën për në Berlin.

Lojtarët e rinj të krahut, Lamine Yamal e Nico Williams dolën në pah. Watkins i sheh ata si rrezikun më të madh për Anglinë, që shpreson të fitojë Evropianin për herë të parë.

“Ndiej se Spanja ishte ekipi më i mirë deri më tani në garë. Qartë se lojtarët e krahut të Spanjës janë dinamikë, të rinj, plot me besim dhe të drejtpërdrejtë. Por edhe në ekipin tonë kemi gola nga të gjitha anët, kemi talente të nivelit botëror. Do të jetë ndeshje shumë interesante. Mezi pres ta shoh dhe të jem pjesë e saj. Shpresojmë se do ta përfundojmë misionin”, ka thënë Watkins.