Euro 2024

Selektori i Spanjës pret spektakël në finale

Luis de la Fuente

Spanja ka shfaqur futboll atraktiv përgjatë rrugëtimit deri në finale të “Euro 2024”. 

Në finalen e së dielës, Spanja do të luajë kundër Anglisë. 

Për këtë ballafaqim, selektori i Spanjës, Luis de la Fuente, ka pritshmëritë e spektaklit. 

“Do të jetë ndeshje spektakolare, ndërsa ne kemi shpresë të madhe”, ka thënë 63-vjeçari në një video incizim të publikuar nga Federata e Futbollit e Spanjës. 

Finalja të dielën do të luhet në “Olimpiastadion” të Berlinit. 

Spanja fitoi 2:1 ndaj Francës në gjysmëfinale dhe është në kërkim të trofeut të katërt të Kampionatit Evropian, pas triumfeve në vitet 1964, 2008 dhe 2012. 

De la Fuente e ka vlerësuar skuadrën angleze si shumë të fortë, me futbollistë të mëdhenj. 

Sipas tij, dy skuadra me sistem krejtësisht ndryshe të futbollit do të ballafaqohen në finale. 

“Anglia është shumë e fortë fizikisht. Ne duam që ta luajmë stilin tonë, ta dominojmë lojën dhe të provojmë të mos bëjmë gabime”, ka deklaruar ai. 

Anglia ndërkohë në gjysmëfinale e eliminoi Holandën, pas fitores 2:1.