Euro 2024

Sejdiu: Gjermania dëshmoi se është kandidate potenciale për ta fituar Evropianin

Gani Sejdiu

Fitorja 5:1 ndaj Skocisë në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian “Euro 2024”, e ka dëshmuar që Gjermania është kandidate potenciale për ta fituar kompeticionin e madh të futbollit, ka vlerësuar trajneri Gani Sejdiu.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Sejdiu ka thënë se Gjermania ka pasur lojë me shumë klas ndaj Skocisë. Sipas tij, personaliteti i treguar në fushë e bëri Gjermaninë dominuese dhe kandidate për ta fituar krejt kampionatin.

“Edhe mbrëmë e kam përmendur si një ndër favoritët. E kam futur në vendin e katërt me radhë, pas Francës, Anglisë e Portugalisë, duke u bazuar në disa gjëra sepse ka ndryshim gjenerate. Është njëlloj transicioni. Ende s’e ka atë kombëtaren e plotë. Ka shumë cilësi, por s’është e plotë. Kam qenë skeptik. Por sonte më ka demantuar për të mirë. Bëri paraqitje fantastike, të sigurt, me shumë klas dhe ajo që i personifikon këto ekipe. Personaliteti në fushë... Dhe siguria në fushë e bën që të jetë kandidat potencial për ta fituar. Pati fitore ndaj një kombëtare që kam pritur të jetë ndër befasitë. Gjermania ishte dominuese dhe mënyrën që e kishte zgjedhur për ta fituar ndeshjen e tregoi qysh në minutën e parë”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, Gjermania “me një këmbë e ka kaluar grupin A”. Në këtë grup janë edhe Hungaria e Zvicra. 

E futbollisti, Lapidar Lladrovci, ka thënë se triumfi në ndeshjen e parë ndikon shumë pozitivisht tek lojtarët. Ai ka vlerësuar se “fitorja e madhe e bashkon shumë grupin dhe e rrit besimin që në ndeshjet e ardhshme të hyjnë me besim më të lartë e presion më të ulët”.

“Gjermania ka shumë lojtarë që patën sukses të madh këtë edicion. Ka bërë lojë të mirë dhe tregoi shumë vetëbesim”, ka thënë Lladrovci.

Të dy janë shprehur optimistë për ndeshjen e së shtunës së Shqipërisë ndaj Italisë. Kanë thënë se prania e madhe e tifozëve dhe lojtarët që luajnë në Serie A mund të jenë ndihmesë për sukses në ndeshjen hapëse të kuqezinjve.