Dënim të rëndë për futbollistin e kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, kanë parashikuar dy trajnerët e njohur të futbollit në Kosovë, Gani Sejdiu e Sami Sërmaxhaj.
Në “Interaktiv” të KTV-së, të premten të dy kanë komentuar nisjen e hetimit të UEFA-s ndaj brohoritjeve anti-Maqedoni e anti-Serbi të Dakut në kor me tifozët pas ndeshjes Shqipëri-Kroaci. Vetë Daku ka kërkuar falje duke thënë se veprimin e ka bërë nën afekt. Të premten masa ndaj lojtarit paralajmëroi edhe klubi i tij në Rusi, Rubin Kazan.
Trajneri Sejdiu ka thënë se është normale që Rubin Kazani të marrë masa ndaj Dakut.
“Është shkelje e madhe dhe normalisht që vjen me pasoja. Do të donim të mos ishin të rënda, por mendoj se po. Sipas zhvillimeve që po ndodhin, duket se do të jenë të rënda. Duket se do të përjashtohet prej kësaj Euro dhe edhe klubi do të marrë masat e tij. Po luan në një ligë të Rusisë ku dihet se pasojat e një veprimi të tillë janë të mëdha. Është pritur reagimi i klubit. Ka qenë veprim i pajustifikueshëm”, ka thënë Sejdiu duke shtuar se e di që ka qenë moment i ndikuar nga emocionet për Dakun. “E di se edhe atij i vjen keq, por tash priten pasojat”.
Ndërkaq trajneri Sërmaxhaj ka thënë se gjesti i Dakut e ka zbehur kulturën e treguar sportive nga kuqezinjtë në këtë kampionat evropian.
“Kemi pasur komente pozitive për kulturën tonë sportive... se jemi shumë paqësorë. Ky gjest e ka zbehur kulturën sportive. S’ka qenë e përgatitur. Është nën afekt e s’ka ditur t’i menaxhojë emocionet. Faturat do të jenë të mëdha. Edhe nga federata shqiptare, edhe nëse nuk luan do të jetë faturë e madhe, pastaj edhe masat e UEFA-s edhe klubi”, ka thënë Sërmaxhaj.
Ai ka thënë se një lojtari me uniformë kombëtare a klubi nuk i takon të bëjë veprime të tilla.