Mesfushori Declan Rice u është kundërpërgjigjur pretendimeve se futbollistët e Anglisë nuk janë të gatshëm fizikisht për t’u paraqitur në “Euro 2024”.
Futbollistët kanë pranuar kritika të shumta nga tifozët për gjendjen fizike që po e tregojnë gjatë ndeshjeve.
Rice në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s të hënën është shprehur se të gjithë lojtarët janë në formë të mirë fizike.
“Ishte qesharake që forma jonë u vë në pikëpyetje. Ne jemi përgatitur për të luajtur në turne të tillë. Nëse nuk do të ishim mjaftueshëm në formë, atëherë nuk do të ishim këtu. Ne nuk duhet të jemi futbollistë nëse nuk mund të garojmë për 90 minuta. Ne jemi mjaftueshëm në formë”, u shpreh 25-vjeçari.
Ditë më parë edhe përzgjedhësi Gareth Southgate ka theksuar se futbollistët nuk po bëjnë presion me intensitet të mjaftueshëm.
Southgate është kritikuar shumë për paraqitjet e Anglisë në “Euro 2024”, në fitoren kundër Serbisë dhe në barazimin me Danimarkën.
Ndeshjen e radhës Anglia e luan kundër Sllovenisë të martën nga ora 21:00.