Mesfushori i Anglisë, Declan Rice, nuk është duke menduar shumë për ndeshjen gjysmëfinale të “Euro 2024”. Rice të martën ka theksuar se gjysmëfinalja e “Euro 2024” është si ndeshjet e tjera të rëndësishme.
“Unë nuk i bëj shumë presion vetes, nuk mendoj shumë për këtë. Është një tjetër lojë futbolli, është një gjysmëfinale dhe vetëm kështu mendoj për të. Ne jemi këtu për një arsye, Holanda është këtu për një arsye dhe do të fitojë skuadra më e mirë. Është një lojë futbolli, ne ndihemi sikur kemi një moment shumë të mirë”, u shpreh Rice.
25-vjeçari ndër të tjera u ka kërkuar tifozëve që të vazhdojnë ta mbështesin përfaqësuesen e Anglisë.
“Ne kemi vërtet besim. Vazhdoni të na mbështesni sepse ne po e ndiejmë atë dashuri, atë energji. Shpresojmë se ne mund të bëjmë histori përsëri duke shkuar në finale”, deklaroi mesfushori i Arsenalit.
Ndeshja gjysmëfinale ndërmjet Holandës dhe Anglisë do të zhvillohet të mërkurën në Dortmund.